Dhuna ndaj bluzave të bardha

14/08/2012 16:20

Presidenti i urdhërit të mjekut, Dine Abazi, i kërkon organeve të drejtësisë të ndeshkojnë dhunuesit e mjekeve, nisur nga rasti më i fundit i regjistruar ndaj një kirurgu në Kukës.

Shpesh herë mjekët kane rëne pre e dhunës të të afërmeve të pacienteve dhe sipas Dines, ata nuk janë ndëshkuar.

“Në Kukës kemi dy raste. Raste të ushtrimit të dhunës janë regjistruar edhe në Vlorë apo në Berat. Raste të përsëritura sistematikisht ka pasur edhe në Tiranë. Megjithë protestën deri në gradat më të larta nga mjekët në lidhje me këtë problem, nuk kemi dëgjuar që të jetë vendosur ndonjë aggressor përpara drejtësisë. Kërkoj nga autoritetet marrjen e masave energjike për rivendosjen e dinjitetit të mjekut”.

Nga ana tjetër, presidenti i Urdhërit të Mjekut kërkoi ndëshkimin e atyre mjekëve të cilët detyrojnë pacientët të marrin shërbimin në klinikat e tyre private apo dhe ndaj atyre mjekëve që largohen gjatë orarit zyratar duke ofruar shërbim në spitale apo klinika private.

“Kjo mangësi, ky handikap, vjen kryesisht si mungesë e kërkesës së llogarisë dhe të kontrollit që duhet të ushtrohet nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, ndaj personelit, mjekëve dhe në parandalimin e trafikimit të të sëmurëve nga spitalet shtetërore në klinika private. Njerëzit e kanë konstatuar, e kanë prekur dhe e kanë vuajtur këtë, biles duke marrë edhe borxhe për t’u kuruar në klinika private, kur fare mirë mund të kishin marrë kurimin e duhur në spitalet shtetërore”.

Sipas Dine Abazit, drejtoritë e spitaleve nuk ushtrojnë kontrolle ndaj mjëkeve si përsa i përket respektimit të orarit, por edhe për cilësinë e shërbimit që ata ofrojnë.

Ndaj, urdhëri i mjekut do të bashkëpunojë me ministrinë e Shëndetësisë për ta luftuar këtë fenomen, duke i  penalizuar mjeket deri edhe me heqje të licensës.

Top Channel