Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë për dështimin në të gjithë sektoret, ndërkohë që të vetmin sukses ajo e ka në shpenzimet për luksin e vilës qeveritare të Vlorës.

Deputeti Ilir Beqaj, nga selia roze e vuri theksin tek dështimi, sidomos në sektorin e turizmit. Zona të tëra sipas zotit Beqaj vuajnë mungesat nga ato më të mëdhatë, deri tek ato më minimalet në uje e drita, ndërkohë që shqiptarët duhet të kundrojnë siç theksoi ai shpërdorimet në vilat bregdetare për turizmin personal të qeveritarëve.

“I vetmi investim në turizëm këtë verë është vila qeveritare në Vlorë. Të gjithë shqiptarët e panë dje se si shpërdorohen paratë e tyre, ndërsa qeveria është e interesuar vetëm për turizimin e saj”, reagimi i ashpër i Beqajt.

“Nuk është faji i opozitës apo mediave të pavarura pse tregojnë publikisht zullumet dhe dështimet e Sali Berishës, pse kritikojnë me shifra konkrete, pse denoncojnë me fakte e prova. Saliu çuditet sepse vetë është mësuar të gënjejë, të trillojë, të shpifë.  Ka një lajm të mirë për shqiptarët. Kjo është vera e fundit në sundimin e pushtetit të Saliut. Verën e ardhshme vendi do të drejtohet nga qeverisja e Partisë Socialiste. Ne kemi një plan për rilindjen e turizimit shqiptar. Është pjesë e planit tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë si domosdoshmëri për rilindjen e Shqipërisë”.

Më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë deputeti Erjon Braçe. Pas deklaratës së qeverisë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist deklaroi në rrjetin social “Facebook” se kryeministri genjen kur i quan pamjet montim dhe nuk jep asnjë sqarim për këtë.

E me ketë rast deputeti i PS sfidon kryeministrin të shkojnë dhe ta vizitojnë rezidencën qeveritare të Vlorës, duke pare nga afër siç thekson ai çdo karrige, kolltuk, e tavolinë, pa numëruar specifikimet teknike të luksit qeveritar.

Zoti Braçe thekson se kryeministri duhet ta hapë vilën në syte e publikut dhe me pas t’i shpjegoje vlonjatëve dhe shqiptarëve të varfër luksin e paguar nga paratë e tyre.

Deputeti i opozites thekson me tej se drejtoria përkatëse nuk duhet të sfidoje në intelekt shqiptarët, duke theksuar se rezidenca është e qeverisë dhe jo e kryeministrit, pasi kreu i qeverisë siç shkruan deputeti është Sali Berisha.

Në fund të reagimit të tij, Erjon Braçe i kërkon kryeministrit t’i jape shpjegime të verbërve, të cilet siç thekson ai kanë pesë muaj pa asnjë pagesë e po kështu edhe tetraplegjikëve apo pensionistëve që kanë marrë siç thekson deputeti rritje qesharake, ndërsa kryeministri shton lukset e tij në bregdet, duke i kthyer në sulltanate.

Top Channel