Turistët, “peng” në Egjipt

13/08/2012 00:00

Kanë kaluar 13 ditë dhe 180 turistët të cilet gjenden në Egjipt nuk kanë sesi të kthehen në Shqipëri. Agjencia turistike “Pasha Holiday”, përmes të cilës ata kishin prenotuar pushimet, prej disa ditësh ka ndërprerë të gjitha komunikimet me turistët shqiptarë, duke mos iu dhënë atyre asnjë zgjidhje.

Agjencia turistike ka paguar për 8 nga 13 ditë që ishte paketa e plotë. Pjesën tjetër turistët e kanë paguar sërish vetë dhe tashmë thonë se nuk kanë me se të kthehen.

Mësohet se rreth orës 18 të mbrëmjes së të hënës do të vendoset në dispozicion një agjenci për kthimin e tyre, vetëm nëse çdo turist paguan biletën prej prej 250 eurosh. Turistët shqiptarë tregojnë se s’kanë asnjë mundësi financiare dhe se askush nga shteti nuk është interesuar për ta.

“Për kthimin na kanë thënë se do na marrin në aeroport, se do bëhet një pagesë prej 250 euro personi, por s’kemi marrë asgjë. Përveç televizioneve s’është interesuar askush tjetër për ne”, tha një prej tyre.

Pushimet e shumëprituara janë kthyer në një ferr për 180 turistët shqiptarë. Kur kanë mbërritur në Sharm el Sheik ka nisur dhe aventura e tyre e hidhur.

Pronarja e agjencisë “Pasha Holiday”, Arselina Kërthoci, e cila është shoqëruar në ambientet e policisë së Tiranës, u ka thënë hetuesve se ka shpallur falimentin, ndaj për këtë shkak nuk siguronte dot kthimin e turistëve në Shqipëri. Zyrtarë të policisë thanë se Kërthoci në asnjë moment nuk ka pranuar të ketë kryer mashtrim ndaj turistëve.

Sharm el Sheik, 15 turistë “peng” nga policia

Të paktën 15 turistë shqiptarë në resortin Sharm el Sheik të Egjiptit mbahen të rrethuar nga policia vendase, e cila nuk i lejon të lëvizin.

Sipas informacioneve të fundit, turistët po mbahen të mbyllur në hotelin “Laguna Vista”, pasi pronari i tij u kërkon atyre të paguajnë 5 mijë dollarë më shumë.

Të ndodhur në vështirësi dhe pa pasur burime financiare për shkak të braktisjes nga agjencia që u kishte organizuar udhëtimin, turistët kontrollohen nga policia.

Nga ana tjetër, përfaqësues të agjencisë “Pasha Holiday” deklarojnë se turistët e kanë paguar hotelin që në ditën e parë që mbërritën në Egjipt. 

Top Channel