Tiranë, Priska ende në flakë

13/08/2012 00:00

Në fshatin Priskë, në Tiranë, vazhdon të jetë i pranishëm zjarri që ka rënë që prej ditës së diel dhe që duket i vështirë për t’u vënë nën kontroll.

Sipas informacioneve të fundit, zjarri ka djegur sipërfaqe jo të vogla terreni dhe në disa raste ka vënë në rrezik banorët përreth.

Zjarrëfikësit dhe forcat e Emergjencës Civile po punojnë për shuarjen e flakëve, të cilat janë ndihmuar edhe nga erërat e krijuara nga moti i freskët i ditëve të fundit.

Deri para pak ditësh qindra hektarë pyje dhe kullota ishin përfshirë nga zjarret në veri dhe jug të vendit.

Ekspertët në Drejtorinë e Policisë Pyjore deklaruan se ishin rreth 30 vatra zjarri aktive, për shuarjen e të cilave ishin angazhuar të gjitha forcat e emergjencave civile.

Inspektori i policisë pyjore, Genci Hoxhaj theksoi se në të gjitha rastet shkaktarë të zjarreve janë njerëzit, të cilët në mënyrë të vullnetshme ose aksidentale, kanë sjellë dëme të mëdha.

Shuarja e zjarreve në disa zona zgjat disa ditë dhe shpesh kërkohet ndërhyrje nga ajri, gjë që ka qenë e vështirë.

Ekspertët e pyjores tregojnë se shuarja e vatrave të zjarrit, të cilat janë të fuqishme kanë kosto shumë të lartë, shpesh herë është e shumë e vështirë.

Sipas tyre, një rol të rëndësishëm duhet të luajë pushteti vendor dhe kryetarët e komunave të cilët nuk mund të qëndrojnë indiferentë sa herë ka zjarre në zonat e tyre.

Top Channel