Superluksi në vilën qeveritare të Vlorës

13/08/2012 19:45

Top Channel ka siguruar pamjet ekskluzive të së ashtuquajturës Vila 1 në Vlorë, rezidencë qeveritare e rikonstruktuar së fundmi nga qeveria në një shifër të përafërt me gjysmë miliard lek.

Kjo rezidencë, që ndodhet pak pasi kalohet tuneli i Vlorës, ka qenë në qendër të debateve të shumta si pasojë e Vlerës së mobilimit të saj, aq më tepër në kushtet e krizës ekonomike që ka detyruar qeverinë të bëjë jo pak herë edhe shkurtime të investimeve të parashikuara në disa sektorë prioritare për vendin.

Kolltukët e rinj janë ende në qese, ashtu siç është llampadari që dallohet në krye të dhomës. Edhe në dhomat e tjera mund të dallohen mobiljet ende te papërdorura. Poltrona në qesë, tavolina të reja dhe mobilje të tjera luksoze.

Më tej një salle mbledhjesh me një tryezë të gjatë dhe karrike lëkure, edhe këto të reja. Gjatë korridoreve mund të shihen pasqyra të mëdha të punuara.

Diku dallohet bari, kuzhina e madhe edhe këtu me pajisje të gjitha në qese, por edhe pishina buzë detit. Një mobilim i parashikuar për një objekt të nivelit të lartë elitar në rrymën neoklasike-moderne, që do të përdoret nga kryeministri i vendit Sali Berisha.

Sipas preventivit, për shembull kati përdhes, duhet të ketë kolltukë dhe poltrona me skelet konstruktiv, material drusor, apo metalik dhe veshja e jashtme tapiceri kadife, veluto 100%, “Viscosa tessuto alcantara” origjinale, teknologji unike dhe pa tentativa imitacioni.

Kolltukët e tipit “Cester” me të njëjtin material si më sipër. Karriket të tipeve të ndryshme, të veshura me lëkurë 100-përqind, apo lëkurë ekologjike. Tavolinat qendrore të katër tipeve të ndryshme. Në ambjentin e ngrënies së parë, tavolina me material drusor e me linja egzagonale.

Pasqyrat dekorative jo të thjeshta, por fluide me filtër, me korniza neoklasike të dekoruara druri, me lyerje “argentato”, me lëkurë “Croko”, apo material “Alcantara”.

Perdet dhe kornizat mantovane, televizorët “flat screen” të një niveli shumë cilësor, telefonat të një niveli profesional me disa linja. Vila, sipas preventivit, duhet të ketë edhe apartamentet elitare si dhe apartamentin suitë.

Krevatet të punuar me material të kombinuar druri masiv, me ndërhyrjë “tamburato grexo”, të veshur me tapiceri “Alcantara”, kadife origjinale, një model specifik në dhomën e parë matrimoniale në apartamentin kryesor.

Dyshekët cilësi tepër e lartë, me spesor minimalisht 22 cm deri në 18 cm. Përbërja me fibra analergjike dhe rregullues temperature. Veshja e jashtme me fibra izoluese. Dyshekët duhet të jenë anatomikë dhe anti-dekubitues.

Gjithashtu, ka dalje në tarracë, kati nëntokë, pishinë dimërore me bar të hapur. Godinë shërbimi me 7 apartamente personeli. Në preventiv parashikoheshin edhe se dyshekët dopio në ambjentet e katit të parë do të jenë në dimensionet “king size”.

Setet e çarcafëve materiale të veçanta si dhe tapetet prodhim afgan dhe iranian, të punuara në materiale mëndafshi dhe leshi 100 për qind, tapete me punime dore të natyrës klasike.

E gjithë kjo, sipas preventivit, duhet të ketë kapur shifrën e gjysmë miliard lekëve, duke i dhënë pamjen e një godine të fjalës së fundit të luksit.

Top Channel