Rezultatet e mira të britanikëve në Olimpiadën e Londrës janë komentuar edhe nga lideri socialist Edi Rama.

Në faqen e tij zyrtare ne rrjetin social Twitter, Rama shkruan se: “Mbyllja e Olimpiadës magjike të Londrës lë pas një reflektim: Shkëlqimi i skuadrës britanike ka në bazë financimin nga Lotaria Kombëtare!”.

Më tej kreu i opozitës thotë se qeveria e socialistëve do të rigjallëroje sportin. “Reflektim për skeptikët mbi programin e PS: Me Lotarinë Kombëtare në dispozicion të sportit e rinisë, ne do ta rilindim sportin shqiptar”, vijon Rama.

Lideri i opozitës thotë se modeli britanik është një shembull suksesi që duhet ndjekur. “I jemi referuar me kohë shembullit të Britanisë së Madhe kur kemi folur për Lotarinë Kombëtare dhe jemi të bindur se kjo është rruga e duhur”, përfundon Rama.

Që në fillim opozita kërkoi nga qeveria të paracaktojë fonde për sportin dhe artin në tenderin e Lotarisë Kombëtare. Vetë zoti Rama ka deklaruar në më shumë se një rast publikisht, se socialistët do ta anulojnë tenderin për licençën, që po shitet kundër interesave të publikut dhe në favor të klientëve të qeverisë.

Top Channel