Noka në familjen e gruas së vrarë

12/08/2012 00:00

Pak orë pas arrestimit të të dyshuarit kryesor për vrasjen e Fatbardha Tafës, ministri i brendshëm Flamur Noka ka ngushëlluar familjarët e 38-vjeçares në fshatin Hardhishtë të Durrësit.

Ministri u tha të afërmve të viktimës që u sulmua dhe humbi jetën gjatë një tentative për grabitjen e bizhuterive në Tiranë se policia është shumë afër arrestimit edhe të bashkëpunëtorit të dytë të Aldo Hoxhës.

Në dalje të shtëpisë së Fatbardha Tafës, ministri i brendshëm i bëri apel Prokurorisë dhe gjykatave të jenë më bashkëpunuese: “Bëj apel për Prokurorinë dhe gjykatat të jenë në lartësinë e detyrës për të ruajtur rendin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve. Duhet të ketë një sinkronizim më të mrië për një sukses të garantuar. Krimi do të goditet me të gjitha format dhe mjetet që parashikon ligji.”

Ky apel i ministrit vjen në një kohë kur të paktën policia e kryeqytetit përgjatë muajve qershor-korrik raporton jo zyrtarisht të ketë arrestuar 33 autorë për grabitje çantash, varësesh e celularësh, por që asnjëri pej tyre nuk është mbajtur në burg.

“Polcia e Shtetit nuk do të ketë më kategorizime krim i lehtë dhe krim i rëndë. Krimi do të luftohet njëlloj në të gjitha format që do të paraqitet”, shprehet Noka.

Ndërsa 20-vjeçari nga një fshat i Tiranës, Aldo Hoxha, është në pritje të daljes para gjykatës për masën e sigurisë, Policia e Tiranës vijon të jetë në gadishmëri me turne të zgjatura prej 12 orësh, shërbime këto që u ngritën menjëherë sapo në Tiranë u vra 38-vjeçarja Fatbardha Tafa.

Nga ana tjetër agjentet e krimeve vijojnë me shoqërimet e atij kontigjenti prej më shumë se 200 personash në fushën e grabitjeve dhe vjedhjeve për të identifikuar dhe dërguar në qeli edhe bashkëpunëtorin e grabitësit Hoxha. Aktualisht janë të dyshuar dy persona.

Top Channel