Kushtet higjenike në shkolla

12/08/2012 00:00

Drejtoria e Shëndetit Publik ka paralajmëruar Bashkinë e Tiranës prej dy mujash se pesë shkolla në kryeqytet janë jashtë kushteve higjeno-sanitare, ndaj nëse nuk merren masat e duhura, ato nuk do të hapen për procesin mësimor në shtator.

Sipas raportit higjeno-sanitar, bëhet fjalë për shkollën “Kongresi i Lushnjes”, “Ahmet Gashi”, “Siri Kodra”, “Nilek Dardani” dhe shkolla speciale për fëmijë me aftësi të kufizuara “Luigj Gurakuqi”. Zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës, sqaron se në këto shkolla janë duke përfunduar punimet  për përmirësimin e gjendjes siç kërkohet në rregullore dhe në shtator ato do të jenë brenda kushteve për të pritur nxënësit.

Punime po kryhen vetëm në shkollën “Nikel Dardani” që po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Këtë vit do të kërkohet nga Drejtoria e Higjenes edhe certifikata për kryerjen e dezinfektimit dhe dezinsektimit nga insektet, por edhe minjtë, çka nuk është kryer për disa vite me radhë.
 
Të njëjtat monitorime po bëhen edhe në kopshte e çerdhe. Sipas autoriteteve të shëndetësisë, edhe në këto objekte shfaqet e njëjta problematikë, ku më e theksuar është ajo e mungesës së higjenës. Në disa objekte ka probleme në nyjet hidro-sanitare, si lavamanë të prishur, tubacione të bllokuara apo rubineta që mungojnë. Ndërkohë që herë pas here ka patur probleme në furnizimin me detergjentë dhe lëndë denzinfektuese.

Top Channel