Policia e Tiranës ka arrestuar 20-vjeçarin Aldo Hoxha si autorin e dyshuar të vrasjes pak ditë më parë të shtetases Fatbardha Tafa, në kryeqytet, pranë ish-Fushës së Aviacionit.

Ai dyshohet se është personi që qëlloi viktimën për vdekje, në tentativë për t’i grabitur asaj varësen e floririt.

Për identifikimin e tij janë marrë sot në pyetje edhe Lumturie Gjana, motra e plagosur e viktimës, së bashku me djalin 13-vjeçar, të cilët duket se kanë bërë edhe identifikimin e vrasësit.

I dyshuari për vrasje ka qenë ndaluar nga policia përgjatë 72 orëve të fundit. Përgjigjia e laboratorit të Policisë Shkencore ka ndihmuar strukturat e policisë për të ngritur akuzën ndaj 20-vjeçarit, për të cilin ka dyshime të forta se është implikuar në vrasjen 37-vjeçares.

Por pavarësisht insistimit të grupit hetimor, 20-vjeçari nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen. Aldo Hoxha është dënuar dhe një vit më parë për përdorim të armëve luftarake në zonën e Fushës së Aviacionit, si dhe ka qenë i skeduar më parë për vjedhje me dhunë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës deklaroi: “Në kuadër të shumë veprimeve policore u relaizua operacioni “Loja e Rremë”, ku u ndalua me urdhër të prokurorisë shtetasi Aldo Nexhmi Hoxha, nën akuzën e vjedhjeve me dhunë të varseve, çantave, si dhe për rezistencë ndaj policisë dhe armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, ky person është një nga autorët e vjedhjes me pasojë vdekjen e shtetases Fatbardha Tafa. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë për proçedim penal, për akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen”. U bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me policinë për të garantuar sigurinë në kryeqytet”.

Fatbardha Tafa u qëllua për vdekje me thikë nga dy të rinj në sy të fëmijëve të saj, ndërsa motra e saj, Lumturie Gjana, mbeti e plagosur.

Policia u vu menjëherë në aksion dhe deri paraditen e 8 gushtit në gjashtë komisariatet e policisë së Tiranës u shoqëruan rreth 200 vetë, të dyshuar për grabitje të ndryshme.

Ndërsa nga hetimet e mëtejshme, ekspertët e policisë arritën të formonin identikitin e njërit prej autorëve, bazuar edhe në dëshminë e një prej fëmijëve të viktimës, i cili e kishte parë një prej agresorëve.

Autoritetet thanë se njëri nga grabitësit, ai që drejtonte motorçikleten, ishte me trup normal, por në fytyrë mbetej i paidentifikuar për shkak të një skafande, e cila raportohet të ketë qenë me ngjyrë të zezë dhe e shkruar me ngjyra të hapura.

Ndërsa personi tjetër, që dyshohet të jetë i arrestuari i sotëm, kishte të vendosur në kokë një kapele me ngjyrë jeshile të errët, i  dobët, rreth 1.70m dhe dyshohej se kishte moshën nga 18 deri deri jo më shumë se 20 vjeç, që përputhet me atë të personit të arrestuar.

Për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve ishin vënë 20 numra telefoni në përgjim dhe janë kontrolluar dhjetë servise makinash, pasi mendohej se autorët kishin shitur motorin për të humbur gjurmët.

Top Channel