Moisiu: Shqetësues shkarkimi i Shaqirit

11/08/2012 00:00

Ish-Presidenti i Shqipërise Alfred Moisiu e shikon shqetësues mënyrën e
shkarkimit të Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri
Shaqiri.

Sipas tij, kjo ka qene nje perpjekje e kryeministrit Berisha qe ne vitin 2005 dhe qe sipas tij, u realizua sot pas 7 vjetesh, me te gjitha rruget dhe menyrat.

Ne nje interviste telefonike per Top Channel, zoti Moisiu thote veprime te tilla bien ndesh me interesat e vendit dhe aleateve tane dhe se sipas ish-kreut te shtetit, nuk jane ogurmire. 

“Me thënë të drejtën, për mua ishte një lëvizje të befasishme ajo e lirimit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Problemi është që u arrit një vendim ose një zgjidhje e destinuar që nga viti 2005 nga kryetari i maxhorancës. Nuk e di cila është arsyeja, por është shqetësues fakti, sepse të ngulësh këmbë për dicka në të gjitha rrugët e mundshme të drejta dhe të padrejta, të krijon një shqetësim, të ngrihen pyetje.Veprime të tilla që bien ndesh me interesat e aleatëve tanë, unë mendoj se nuk janë shumë ogurmirë, dhe kjo ngjall një qëndrim të ligjshëm jo vetëm te shqiptarët, por edhe te aleatët tanë. SHISH është një pasuri e madhe që duhet të ruhet me kujdes, të trajtohet me kujdes sepse mbron interesat kombëtare”, tha Moisiu.

Topi: Berisha po rikthen sistemin totalitar

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka komentuar shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, duke vlerësuar se ishte një lëvizje që pritej të bëhej prej kohësh.

Në një intervistë telefonike për VOA, Topi ka theksuar se shkarkimi në fjalë është një veprim politik, që sipas tij i shërben vetëm interesave të mazhorancës qeverisëse.

“Këtu nuk ka asgjë të re, lëvizjet ishin të parashikuara. Shkarkimi i Shaqirit ngre shumë pikëpyetje për SHISH. Ky ndryshim i shërben vetëm politikës”, ka deklaruar Topi.

Ish-kreu i shtetit është shprehur se gjatë drejtimit të Shaqirit, Shërbimi Informativ Shtetëror ishte konsoliduar dhe ishte vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë. 

PS: Rikthehet SHIK-u i 1997

Partia Socialiste ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër presidentit Bujar Nishani, i cili me propozim të kryeministrit Sali Berisha shkarkoi nga detyra shefin e Shërbimit Informativ Bahri Shaqiri dhe emëroi Visho Likës, ish-drejtor i kundërzbulimit në SHIK, në periudhen 93-97.

“Sali Berisha ka dy ditë që hesht. Hesht teksa dje shërbëtori i tij Bujar Nishani vërtetoi të gjitha dyshimet e opozitës. Dje presidenti i Republikës pushoi së qëni i tillë, kur pa asnjë mëdyshje, plotësoi ëndrrën e vjetër të Sali Berishës, për të vënë Shërbimin Sekret nën kontroll, njësoj si në vitin 1997. Nuk ka shqiptar, që të mos kujtojë makabritetet e SHIK-ut të Gazidedes, që për të mbajtur me pahir Saliun në pushtet,dhunoi, plagosi dhe vrau me qindra shqiptarë të pafajshëm”, tha deputetja socialiste, Ermonela Felaj.

Klosi: Shkarkimi i Shaqirit, shqetësues

Shqetësim për shkarkimin e Shaqirit, shprehu edhe ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi.

Në një intervistë telefonike për VOA, Klosi ka komentuar edhe
zgjedhjen e drejtorit të ri të shërbimeve sekrete, zgjedhje që sipas tij
është bazuar në eksperiencën e kaluar të Visho Ajaz Likës.

“Unë e quaj të ngutur deklaratën e kryeministrit që thoshte se do ta
hiqte kreun e SHISH dhe tani e hoqi. Këtu ka vend për një shqetësim të
madh”, ka deklaruar Klosi.

“Eksperienca e drejtorit të sotëm
në SHIK-un e Gazidedes është një nga parametrat që ka shërbyer për ta
zgjedhur. Prandaj them se është për t’u shqetësuar. Ai dhe Berisha mund
të bëjnë gjëra të frikshme”, ka vijuar ai.

Shqetësimi i SHBA për SHISH

Pas takimit me Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi më 27 Janar të
vitit 2010, ambasadori amerikan Xhon Withers do të niste me 29 Janar,
pra dy ditë më vonë, drejt Uashingtonit një dokument konfidencial ku do
të nënvizonte mes të tjerash presionin në rritje të Qeverisë Shqiptare ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror.

Kabllograma i publikuar nga Wikiliks i referohet projekt/ligjit për
shërbimet sekrete “si një kthim prapa në epokën e Enver Hoxhës”.

“Topi i bëri jehonë shqetësimeve të Ambasadorit për Ligjin e Shërbimit
Sekret duke shtuar se një shërbim sekret i parashikuar në projekt/ligj i
kujton atij Sigurimin e frikshëm të epokës komuniste.

“Megjithate, Topi pranoi”, shkruhet në dokument se zyra e tij nuk e ka
marrë ende një kopje të draftit dhe ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht të
gjithë ligjin. 

 

Top Channel