Aksidente tragjike në Janinë

11/08/2012 00:00

Dy aksidente tragjike, me diferencë kohore vetëm prej disa minutash, kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit në Greqi, duke lënë 6 të vdekur, katër prej të cilëve shtetas shqiptarë, dhe disa të plagosur.

Aksidenti i parë ka ndodhur pak minuta pas orës katër të mëngjesit, në kilometrin e 13-të të rrugës nacionale Janinë-Artë, kur një automjet me drejtues një shtetas grek është përpjekur të parakalojë një kamion të shërbimit publik.

Por ai ka gabuar dhe është përplasur me një veturë private me targë “YPE 3833”, që vinte në kah të kundërt me drejtues një shtetas shqiptar, në të cilën ndodheshin edhe katër pjesëtarë të familjes së tij.

Përveç shoferit grek ka gjetur vdekjen edhe drejtuesi shqiptar Arjan Ruçi, 42 vjeç, si dhe Gloria Ruçi, 13 vjeçe, ndërsa janë plagosur rëndë Valbona, Anxhela dhe Daniel Ruçi, përkatësisht 37, 15 dhe 4 vjeç.

Aksidenti i dytë ka ndodhur vetëm pesë minuta më vonë në kilometrin e dhjetë të rrugës nacionale Janinë-Kozan, kur një automjet me targë “YPA 5271”, me drejtues një shtetas shqiptar dhe me tre pasagjerë, është përplasur me një makinë e cila drejtohej nga një 35-vjeçar, shtetas grek, në të cilën ndodheshin pesë persona.

Nga përplasja kanë gjetur vdekjen drejtuesi shqiptar Thrasivulos Balliu, 23 vjeç dhe Jeta Balliu 50 vjeçe, pasagjere e këtij automjeti, si dhe një vajze dyvjeçe në makinën e dytë ku udhëtonin shtetasit grekë.

Gjithashtu është plagosur rëndë Ada Balliu, 23 vjeçe dhe më lehtë Lulëzim Balliu. Të plagosur ka pasur edhe në automjetin me shtatsit grekë. Të gjithë të lënduarit janë shoqëruar në spitalin e Janinës “Haxhikosta”.

Sipas dëshmive, në të gjithë qytetin kanë jehuar sirenat e ambulancave dhe të zjarrfikësve që shkonin për të ndihmuar të aksidentuarit. Ende nuk dihen shkaqet për aksidentin e dyte, por organet greke të qarkullimit rrugor po zhvillojnë hetimet përkatëse.

Top Channel