Topi: Berisha po rikthen sistemin totalitar

10/08/2012 18:30

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka komentuar shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, duke vlerësuar se ishte një lëvizje që pritej të bëhej prej kohësh.

Në një intervistë telefonike për VOA, Topi ka theksuar se shkarkimi në fjalë është një veprim politik, që sipas tij i shërben vetëm interesave të mazhorancës qeverisëse.

“Këtu nuk ka asgjë të re, lëvizjet ishin të parashikuara. Shkarkimi i Shaqirit ngre shumë pikëpyetje për SHISH. Ky ndryshim i shërben vetëm politikës”, ka deklaruar Topi.

Ish-kreu i shtetit është shprehur se gjatë drejtimit të Shaqirit, Shërbimi Informativ Shtetëror ishte konsoliduar dhe ishte vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, ai ka saktësuar se, gjatë kohës që drejtonte Presidencën, nga kryeministri Berisha nuk ka pasur asnjë propozim për shkarkimin e Shaqirit.

“Pati debate vetëm për projektligjin për SHISH, pasi u hartua pa bashkëpunimin me SHBA, në një kohë kur Shqipëria ishte bërë anëtare e NATO-s”, ka thënë Topi.

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike ka shprehur më tej shqetësimin e tij për kthimin e institucioneve kushtetuese njësoj si në epokën e komunizmit, për t’i shërbyer interesit të një partie të vetme.

“Vetë emri SHISH tregon qartë se është një institucion që i shërben interesave kombëtare. Nuk mendoj se janë vullnete partiake, por ato të shtetit ligjor që duhet të vendosen në institucionet kushtetuese”, ka thënë Topi.

“Ka simptoma të qarta të një politike totalitariste që Shqipëria e ka hedhur tutje që në 92-shin. Në ndryshimet që po bëhen në institucionet kushtetuese, të gjitha kandidaturat janë politike”, ka vijuar ai.

Ish-presidenti ka nënvizuar se gjatë kohës që ishte në krye të shtetit është përpjekur të depolitizojë institucione të rëndësishme kushtetuese, siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Unë zhvillova një betejë parimore në KLD, duke u bërë të qartë atyre që vendosin se presidenti duhet të nxjerrë nënkryetarin, në mënyrë që institucionet të mos krijojnë vakum. Por të tjerë donin që ky njeri të vinte nga mazhoranca. Kjo tregon sërish se tentativa e Kryeministrit është për të kapur çdo institucion dhe për të futur një frymë totalitare në të gjitha institucionet”, ka pohuar Topi.

Në fund të intervistës, i pyetur për karrierën politike, Topi ka konfirmuar se është më i bindur se kurrë për të “zbritur në fushë”. Sipas tij, shenjat e para do të jenë në fund të gushtit dhe në fillim të tetorit.

“Unë e kam deklaruar publikisht afrimin me FRD-në. Nëse në fillim kam pasur mëdyshje, tani jam më i bindur se kurrë për nevojën për t’u kthyer në politikë. Mund të them me plot gojën se fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit do të jenë ditët kur unë do të rifilloj karrierën në politikë me FRD-në”, ka shtuar Topi.

Shqetësim të ngjashëm me atë të ish-presidentit Topi shprehu një ditë më parë edhe ish-shefi i shërbimit sekret shqiptar, Fatos Klosi, i cili tha se drejtori i ri i SHISH, Visho Ajaz Lika dhe kryeministri Berisha mund të bëjnë gjëra të frikshme.

Edhe Shtetet e Bashkuara u shprehën të befasuara nga ky vendim që u firmos nga presidenti i ri, Bujar Nishani, pas kërkesës së kryeministrit Sali Berisha.

Shqetësimin e saj ambasada amerikane e kishte shprehur edhe më herët me ambasadorin John Withers, i cili më 29 janar 2010 i dërgoi një mesazh Uashingtonit që fliste për presionin në rritje të qeverisë ndaj SHISH. 

Top Channel