Berisha-Shaqiri, 7 vjet përplasje

09/08/2012 00:00

Megjithëse kryeministri Sali Berisha nuk e çoi për shkarkim emrin e Bahri Shaqirit as tek presidenti Moisiu dhe as tek presidenti Topi, mes tyre nuk ka patur kurrë një marrëdhënie normale.

Aq sa kokë më kokë ata janë takuar, siç tha dikur ambasadori amerikan John Withers, vetëm një herë, që kur zoti Berisha u bë kryeministër në 2005-ën.

Përplasjen më të fortë publike ata e patën kur qeveria çoi në Parlament disa ndryshime në ligjin për shërbimin informativ, i cili mes të tjerash përcaktonte një mandat për shefin e SHISH, që në mënyrë indirekte i hapte rrugë kryeministrit për ta ndryshuar kreun e shërbimeve sekrete, i cili varet nga kryeministri.

Përplasja në fakt nuk ndodhi me Bahri Shaqirin, por me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikes, kur ajo drejtohej nga John Withers, i cili deklaroi se ligji, siç është ndërtuar, është i papranueshëm.

“Është me rëndësi jetike që SHISH të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga çdo ndërhyrje politike. Jemi të shqetësuar se ligji i minon këto parime”, deklaroi atëherë Withers.

Nën këtë ndikim, disa deputetë të mazhorancës rrëzuan ligjin në komisionin e sigurisë kombëtare, duke bërë që Partia Demokratike, për mungesë votash të mos e votonte ligjin e kundërshtuar nga ambasada amerikane.

Ky konflikt në Tiranë u transferua deri në Bruksel dhe në atë kohë u duk se ishte vendimtare ndërhyrja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, që përmes një telefonate i kërkoi kryeministrit Berisha të tërhiqej nga vendimi i tij për të zëvendësuar drejtorin e shërbimit nëpërmjet ligjit.

Marrëdhënia mes qeverisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror nën drejtimin e Bahri Shaqirit u tensionua edhe më shumë pas 21 janarit, kur kryeministri Berisha deklaroi se shërbimi, megjithë kërkesën e policisë, nuk solli asnjë informacion për atë që kryeministri Berisha e quajti “puç” të opozitës dhe disa insitucioneve për rrëzimin e qeverisë.

“Këtë të dhënë, një institucion në Shqipëri nuk e kishte marrë dhe ky institucion është SHISH, ku taksapaguesit shqiptarë paguajnë jo më pak se 1 mijë vetë. Çfarë i mbylli sytë dhe veshët këtij shërbimi, kjo është punë e tij”, deklaroi Berisha vitin e kaluar.

Për koinçidencë, 2 ditë përpara 21 janarit, në emisionin ‘Top Story’, ambasadori aktual amerikan Alexander Arvizu, iu përgjigj një pyetjeje të gazetarit Sokol Balla.

“Bashkëpunimi me SHISH dhe zotin Shaqiri është i shkëlqyer. Kështu që sigurisht, nëse atij do t’i jepej një mandat tjetër, kjo do të mirëpritej përzemërsisht nga Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Arvizu. Tani nuk ka më hamendime, dhe nëse do të kishte bast, ambasadori Arvizu do ta kishte humbur atë.

Top Channel