Universitetet, të enjten aplikimi i dytë

08/08/2012 00:00

Ditën e enjte, të gjithë maturantët që kanë përfunduar provimet e
Maturës Shtetërore, por nuk mundën të aplikojnë për studimet e larta në
fazën e parë, mund të plotësojnë formularin A2 në Tiranë, në ambientet e
agjencisë kombëtare të provimeve.

Ministria e Arsimit ka vendosur që faza e dytë e aplikimit online të zhvillohet në dy data, 9 dhe 10 gusht në oraret 8.30 deri në 16.30.

Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga drejtoritë arsimore rajonale, numri i maturantëve që kanë të drejtë të aplikojnë në fazën e dytë është rreth 2 mijë por ende nuk dihet sa prej tyre janë të interesuar të studiojnë në universitet.

Burime zyrtare nga Ministria e Aarsimit thonë se në ambientet e Agjencisë Kombëtare janë bërë gati kompiuterat, ku maturantët do të plotësojnë online formularin A2 dhe kohëzgjatja prej 8 orësh e aplikimit do t’u japë mundësi të gjithë atyre që duan të përzgjedhin degët e preferuara për studimet e larta.

Sipas procedurës së kryer dhë në fazën e parë,maturantët që do të aplikojnë për studimet e larta, duhet të kenë me vete kartën e identitetit si dhe çertifikatën e notave të lëshuar nga shkolla. Në fazën e parë të aplikimit online të formularit A2 morën pjesë rreth 29.600 të rinj maturantë.

Ministria e Arsimit deklaroi disa ditë më parë se nga mundësia e dytë, përjashtohen ata maturantë që kanë aplikuar njëherë për degët e preferuara edhe pse mund të kenë gabuar në përzgjedhjet e tyre apo të kenë ndërruar mendje.

Top Channel