Miti i pavdekshëm i Pablo Escobar

08/08/2012 16:40

Miti i Pablo Escobar është më i gjallë se kurrë. Tani ka dalë edhe një album me foto, si ato të sportistëve, që e përkujtojnë.

Bosi më i fuqishëm i drogës në Kolumbi, i vrarë më 2 dhjetor të vitit 1993 teksa arratisej në çatitë e Medelinit në përpjekje për t’u shpëtuar agjentëve specialë të stërvitur posaçërisht nga SHBA për ta kapur, është kthyer në modë më fuqishëm se kurrë.

Telenovela “Escobar, padroni i së keqes”, që tregon jetën e kriminelit famëkeq, i akuzuar për vrasjen e rreth 5 mijë personave, ka regjistruar një numër rekord shikuesish.

Ndërkohë, i biri i tij, Escobar Juan Pablo ka krijuar një markë veshjesh, kryesisht bluza, xhinse, këmisha dhe xhupa, në të cilat janë stampuar fraza dhe pamje të të atit, në mënyrë për të rehabilituar imazhin e tij.

Por nuk kanë mjaftuar vetëm këto. Suksesi mediatik duket se nuk ka kufij dhe tani emri i Escobar shfaqet edhe në një album fotosh, si ato të sportistëve.

“Figura e tij është kthyer në mit dhe nuk është larguar kurrë nga Medelini. Është njësoj sikur ai të mos ketë vdekur”, ka deklaruar Jorge Bonilla, një ekspert i shkencave politike.

Tani, në lagjet popullore të qytetit të Medelinit, dikur bastion i padiskutueshëm i Escobar, albumi ka marrë dhenë dhe ka bërë që të ngrihen shqetësime për ndikimin e historisë së kriminelit famëkeq tek të rinjtë.

Top Channel