Deklarimet e kryeministrit Berisha, kryetares së kuvendit Topalli dhe
ministres së integrimit Bregu se opozita duhet të votojë në parlamet me 6
gusht ndryshimet kushtetuese për hir të marrjes së statusit të vëndit
kandidat për në BE, PS i ka cilësuar si një imponin me forcë në formë
ultimative, nga maxhoranca.

Fatmir Xhafaj, nënkryetari socialist i Komisionit Parlamentar të Ligjeve në një bashkëbisedim me gazetarët u shpreh se data 6 gusht është një vendim arbitrar e i imponuar nga kryetarja e kuvendit zonja Topalli pasi në mbledhjen e konferencës së kryetarëve opozita nuk ka dhënë konsesus.

“Kryeministri thotë se data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit në 12 korrik në seancën e parlamentit. Kryetarja e Kuvendit nga ana tjetër thotë se 6 gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë është i bërë e ditur seancën plenare e datës 12 korrik. Kjo nuk është e vërtetë, përkundrazi. Vendimi për datën 6 ka qenë një vendim arbirtrar, i njëanshëm dhe i paravendosur jashtë cdo llogjike të frymës kushtetuese dhe të rregullave parlamentare. Në Konferencën e Kryetarëve është kundërshtuar nga përfaqësuesit tanë atje kjo datë, me arsyetimin se s’ka kompetencë ky organizëm të përcaktojë datën e seancës. Mbas një debati të ashpër të zhvilluar në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve përfaqësuesit tanë janë larguar nga mbledhja dhe pas kësaj kryetarja ka vendosur veton dhe pa praninë dhe pa miratimin e opozitës ka vendosur datën e paracaktuar prej saj, pra datën 6 gusht”, tha Xhafaj.

Insistimin e eksponentëve më të lartë të maxhorancës për nevojën e menjëhershme të miratimit të këtyre ndryshimeve si pjesë e plotësimit të 12 prioriteve, deputeti Fatmir Xhafaj e quajtur thjesht demagogji pasi sipas tij opozita i ka kërkuar këto ndryshime që në tetor 2011.

Xhafaj sqaroi se edhe nëse më ddatë 6 gusht do të miratoheshin këto ndryshime, duhen 15 ditë që ndryshimet kushtetuese të hynë në fuqi e më pas të shoqërohen nga miratimi një sërë ligjesh për t’i bërë ndryshimet kushtetuese efektive. ‘Pra, duhet muaj të tërë pune, – theksoi Xhafaj,- duke u shprehur se data 6 nuk mund të jetë kufiri i nisjes së një ere të re’.

Bregu: Opozita të votojë për heqjen e imunitetit

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu i ka bërë apel të enjten opozitës të votojë më datën 6 gusht heqjen e imunitetit, si një kusht që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive për marrjen e statusit kandidat në vjeshtën e këtij viti.Në një konferencë për shtyp, ministrja Bregu theksoi se heqja e imunitetit është edhe i vetmi detyrim i papërmbushur i kërkuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë.

“Imuniteti dhe heqja e tij janë i vetmi detyrim për të plotësuar kalendarin e 12 pikave të kërkuara nga Komisioni Europian. Sot kemi një çështje urgjente për të zgjidhur dhe kjo është heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë në kuadër të planit të veprimit dhe konkretisht pikës 8 ku përfshin luftën kundër korrupsionit” tha Bregu.

Top Channel