Stomatologët dhe infermierët e rinj rrezikojnë licencën

02/08/2012 00:00

Vlerësimi i stomatologëve, farmacistëve dhe infermierëve në provimin e
shtetit për këtë vit rezulton edhe më i dobët se ai i vitit të kaluar.

Përballë këtij fenomeni, reagon Urdhri i Mjekut, i cili shprehet i shqetësuar për pikët e arritura në këtë testim, që mbi të gjitha synon dhënien e licencës për ushtrimin e profesioneve të rregulluara me ligj. Kështu, ky institucion i kërkon zyrtarisht Ministrisë së Arsimit që t’i tërheqë vëmendjen Fakultetit të Infermierisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë jo për cilësinë e programeve akademike, por për kërkesën e llogarisë gjatë viteve të studimit. Përfaqësuesit zyrtarë të Urdhrit të Mjekut kanë ngritur herë pas here alarmin për nivelin e dobët të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, e megjithatë ende sot nuk është marrë asnjë masë, përkundrazi rezultatet e dobëta sa vijnë e shtohen vit pas viti.

Sezoni i parë i provimeve të shtetit, që u zhvillua në muajin janar, rezultoi i pasuksesshëm si për mjekët, stomatologët, infermierët dhe farmacistët, të cilët kanë shfaqur mangësi në njohuritë bazë për të cilat kanë studiuar. Duke iu referuar të dhënave, rezulton se farmacistët, infermierët dhe stomatologët janë më problematikët në këtë drejtim. Fill pas publikimit të rezultateve, reagoi Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, i cili tha se krahas numrit të lartë të mbetësve është raportuar edhe një nivel tepër i ulët e rezultateve të arritura nga kaluesit, ku për stomatologët mesatarja e përgjithshme ka zbritur në nivelin 6.2, ndërsa për mjekët në 7.3. “Ky problem shfaqet edhe më shqetësues te stomatologët, pasi nga 148 që e dhanë provimin, 39 persona nuk kaluan fare dhe nota mesatare e kaluesve ka rezultuar tepër e ulët, përkatësisht me 6.2. Vetëm një nga studentët e stomatologjisë është vlerësuar me notën 10. Edhe në këtë rast, pjesa dërrmuese e problematikëve u përkasin fakulteteve private. Kundrejt këtyre rezultateve shqetësuese drejtuesit e urdhrave u kanë kërkuar strukturave të arsimit që të ndërhyjnë në forcimin e llogaridhënies në universitete dhe kryesisht në ato private, ku janë evidentuar pjesa më e madhe e mbetësve e rezultateve më të ulëta”, raporton Urdhri i Mjekut.

Shqetësimit të presidentit të këtij institucioni i bashkohet edhe kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Arian Jaupllari. “Nga 538 farmacistë që iu nënshtruan provimit të shtetit në sezonin e parë, kalueshmëria është 52.02 për qind dhe nuk kanë fituar provimin e shtetit 44.98 për qind. Renditur sipas universiteteve gjithsej kanë ngelur 242 kandidatë për provimin e shtetit, nga të cilët 24 janë mbetës të Universitetit Shtetëror të Tiranës”, – sqaron Jaupllari.

Top Channel