“Për Partinë Socialiste data 6 gusht nuk përfaqëson asgjë. Është një datë e njëanshme e vendosur arbitrarisht, duke cotpuar një proçes në mes”.

Kështu deklaroi lideri i opozitës Edi Rama në një intervistë për Top Channel, ku konfirmoi se opozita nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese për imunitetet në datën e propozuar nga kryeministri Berisha.

TCH: Çfarë do të bëjë Partia Socialiste në datë 6 gusht? A do të votoni nismën për heqjen e imunitetit, apo do t’i qëndroni pozicionit tuaj?

Rama:
Partia Socialiste nuk do të votojë në 6 gusht. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Kemi rënë dakord për variantin e diskutuar mbi bazën e propozimit tonë, e kemi votuar në Komisionin e Ligjeve dhe do të votojmë, kur të gjitha propozimet për ndryshimet kushtetutese të kenë kaluar në filtrin e diskutimeve dhe në mënyrë transparente të jenë ndarë me të gjithë publikun dhe kur në një seancë të vendosur së bashku këto të kalojnë edhe në procesin e votimit.

TCH:
Sipas mazhorancës, paketa juaj kushtetuese që përfshin zgjedhjen me shumicë të cilësuar të krerëve të institucioneve, si ata të Gjykatës Kushtetuese apo asaj të Lartë, është vetëm një alibi për të shmangur votimin për heqjen e imunitetit. Sa qëndron kjo hipotezë?

Rama: Fatkeqësisht, një albi e habitshme po bëhet imuniteti për kriyeministrin. Ai thotë se nuk hap dot vende pune për shkak të imunitetit, nuk lufton dot varfërinë për shkak të imunitetit, nuk lufton dot krimin e organizuar dhe korrupsionin për faj të imunitetit. Tani është e qartë për të gjithë se ai thotë se, unë jam vetëm një kryeministër, s’kam gjë në dorë, më pengon opozita. E vërteta është se kufizimi i imunitetit është pjesë e një proçesi shumë më të gjerë, që ka të bëjë me reformën në drejtësi që mungon, për ta fuqizuar këtë sistem dhe për ta shkëputur nga kontrolli i partisë-shtet.

TCH: I druheni një keqpërdorimi kur të hiqet ky imunitet? Mund të ketë një prokuror të njëanshëm që mund ta keqpërdorë.

Rama: Këtu nuk bëhet fjalë për ne. Unë personalisht nuk kam pasur imunitet, por edhe deputetët e Partisë Socialiste kanë dëshmuar se imuniteti nuk është mburoja e tyre para asgjëje. Këtu bëhet fjalë për të ndarë rrugën ku do shkojmë ne, drejt uzurpimit të të gjitha pushteteve dhe pushtimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë nga qeveria, apo drejt ndarjes së pushteteve. Ne jemi për të dytën. Ata që sot qeverisin Shqipërinë janë për të parën.

TCH: Data 6 gusht iku. Në rast se nuk bihet dakord për këtë paketë të propozuar nga ju ndryshimesh kushtetuese, çfarë ndodh, do të vijojë me këtë ngërç edhe në shtator?

Rama: Data 6 gusht nuk përfaqëson asgjë, nuk është as një datë historike, as një datë simbolike. Eshtë një datë e vendosur arbitrarisht, duke copëtuar në mes një proçes, i cili duhet të jetë plotë dhe i integruar, proçesi i diskutimit të ndryshimeve kushtetuese, bazuar në propozimet që janë në tryezë. Të gjitha ato propozime duhet të diskutohen dhe pastaj duhet të votohen. Ne nuk votojmë edhe në gusht edhe në shtator për të ndryshuar Kushtetutën. Nuk ia lejojmë vetes një gjë të tillë. Ne do të votojmë njëherazi dhe sigurisht për gjëra që kemi rënë dakord do të votojmë pro.

TCH: A mendoni se me këtë ngërç rrezikojmë edhe marrjen e statusit të kandidatit në vjeshtë?

Rama: Statusi është rrezikuar seriozisht për një sërë arsyesh. Opozita e ka bërë me përkushtimin më të madh detyrën e vetë, me qasje konstruktive, me përpjekje të mëdha dhe me kosto të lartë. Ndërkohë që qeveria ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit. Ajo është qartësisht, siç e thotë dhe raporti i Departamentit të Shtetit, e lidhur me krimin e organizuar. Ajo ka dështuar me pronat, me administratën publike dhe mbi të gjitha me sistemin e drejtësisë. Një dështim ka qenë edhe zgjedhja e njëanshme e presidentit të Republikës. Megjithatë, deri në fund ne do bëjmë gjithçka që kemi në dorë që Shqipëria në tetor të mos refuzohet.

Balla: Imunitetet ne shtator

Selia rozë e përforcoi qëndrimin e Ramës edhe përmes deputetit Taulant Balla, i cili tha se opozita nuk do ta japë aprovimin për ndryshimin e Kshtetutes sa here te doje Berisha.
 
“Ne socialistët jemi të mendimit se Kushtetuta e Republikës nuk mund të arnohet sepse i teket Sali Berishës.
Kushtetuta është e shqiptarëve, jo e Saliut. Duke qenë se nga njëra anë kufizimi i imunitetit kërkon ndryshime kushtetuese, ndërkohë që nga ana tjetër edhe propozimet tona në lidhje me pavarësinë e disa institucioneve të rëndësishme kërkojnë po ashtu ndryshime kushtetuese, ne kërkojmë që këto ndërhyrje në Kushtetutë të bëhen një herë e mirë.Këtu ndahemi ne nga ata, dhe për këtë duam të diskutojmë edhe propozimet e tjera përpara se të votojmë. Unë që po flas sot jam një deputet i parlamentit të Shqipërisë që e ka dorëzuar imunitetin. E vërteta e madhe është se deri më sot të vetmit që kanë përfituar nga imuniteti janë anëtarët e Këshillit të Miliarderëve të Saliut.Lulzim Basha i shpëtoi drejtësisë prej imunitetit.Fatmir Mediu i shpëtoi drejtësisë prej imunitetit”, tha Balla.
 

Top Channel