Qeveria ndalon thertoret buzë rrugëve

01/08/2012 16:30

Pas aktit normativ për ndalimin e muzikës së lartë pas mesnatës, qeveria miratoi një tjetër akt normativ për të ndaluar një nga fenomenet më të shëmtuara shqiptare, thertoret buzë rrugëve nacionale.

“Ne hoqëm varrezat e makinave, por na doli mishi i rrugëve. Ka plasur mishi rrugëve dhe therrjet. Zoti ministër i Mjedisit dhe Bujqësië, në mënyrën më të prerë të merren masat dhe përgjegjësitë ligjore më të ashpra ndaj punonjësve përgjegjës për këtë. Autostradë moderne dhe mishi i varur në të katër anët e saj. Zotërinj, keni edhe ju përgjegjësitë tuaja. Kjo situatë nuk mund të tolerohet më”, deklaroi Berisha.

Duke vënë në dukje përgjegjësinë e autoriteteve përkatëse nën vartësinë e qeverisë për mosveprimin e tyre, kryeministri Berisha nuk kurseu as autoritetet e qeverisjes vendore.

Kryeministri kujtoi shkarkimin javën e kaluar të një kryetari komune për shpërdorim fondesh dhe kërcënoi me shkarkim çdo drejtues lokal që toleron thertoret buzë rrugëve nacionale, duke e konsideruar këtë një krim ndaj mjedisit.

“Nëse një dejtues lokal shndërron rrugët e veta në thertore, atij i jepet fatura më e rëndë. Do të ketë një akt tjetër normativ dhe kjo do të marrë fund. Do të merremi me kryetrin e komunës, me të bashkisë, me përfaqësuesin e autoritetit ushqimor, të shëndetit publik. Do të dalim nga mesjeta, apo do të rrimë? Çfarëdolloj rregullimi ligjor do të bëhet dhe kjo situatë nuk do të tolerohet më. Qenka kompetenca e bashkive! Jo mor zotëri. Kjo qeveri ka 100 apo 200 detyra, por ka një detyrë të parë të, dytë, të pestë, sigurinë e qytetarëve”, vijoi Berisha.

Qeveria miratoi edhe një akt tjetër normativ, i cili detyron lirimin e shtëpive të ish-pronarëve. Për familjet që strehohen aktualisht në këto banesa të konfiskuara dikur nga regjimi komunist dhe që u janë kthyer pronarëve të ligjshëm, qeveria merr përsipër sigurimin e kredisë me zero interes.

Ndërsa, përsa i përket shtresës së ish-të përndjekurve dhe të përsekutuarve politikë, qeveria vendosi për dhënien e dëmshpërblimit financiar për 470 ish-të dënuar politikë të regjimit komunist.

Vendimi përcakton masat e dëmshpërblimit për të tjerë të dënuar politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin e kryer në burg, si dhe për familjarët e viktimave, të dënuar me dënim kapital. Shuma totale e dëmshpërblimit financiar është rreth 2 miliardë e 46 milionë lekë.

Top Channel