LSI: Heqja e imunitetit, jo test force

01/08/2012 00:00

Aleatja e kryeministrit Berisha në qeveri, LSI, këkroi votimin e paketës për heqjen e imuniteteve, pasi sipas saj kjo nuk është një betejë politike, por një detyrim i politikës për integrimin e vendit.

“Për LSI nuk vlen debati apo retorika që nuk i çon palët tek konsensusi edhe për votimin e ndryshimeve që kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

“Heqja e imunitetit nuk cënon dinjitetin e cilitdo, që për shkak të detyrës apo funksionit shtetëror që ka, është i veshur me imunitet formal juridik”, vijoi ai.

Rama bëri me dije se nga ana e saj, LSI do të kontribuojë që të bëhet e mundur dhe të shkohet tek përmbushja e këtij detyrimi.

“Heqja e imunitetit nuk mund të jetë një test force për një parti ndaj një tjetre, por një test për të treguar se sa janë të angazhuara partitë politike për të plotësuar rekomandimet për anëtarësimin në BE”, nënvizoi Rama.

Ai u shpreh më tej se: “Duhet që me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, Shqipëria të plotësojë kriteret për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE”.

Top Channel