Tumori, Topalli takon gratë dhe të rejat

31/07/2012 17:00

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot me qindra gra dhe vajza, si pjesë e fushatës së saj sensibilizuese në luftën kundër tumorit të gjirit dhe të qafës së mitrës.

Për të forcuar sa më shumë mesazhin për mbrojtjen e shëndetit të grave dhe vajzave shqiptare, zonja Topalli u shpërndau atyre kuponin për diagnostikimin falas të mamografisë dhe paptestit.

Kryetarja e Kuvendit tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa jeta me cilësi e nënës dhe e gruas, si shtyllë e familjes dhe e shoqërisë.

Duke risjellë në vëmendje rrezikun e lartë të rritjes së shpeshtësisë së tumorit të gjirit dhe të qafës së mitrës, zonja Topalli theksoi se beteja më e mirë për të fituar mbi këto sëmundje është beteja e parandalimit.

Kryetarja e Kuvendit inkurajoi gratë që të mos kenë ndrojtje dhe frikë për këto diagnostikime, sepse shmangia e tyre është një mënyrë jo e zgjuar dhe aspak efikase për të përballur këtë rrezik në të ardhmen.

Top Channel