Rama takon Ministren e Jashtme të Qipros

31/07/2012 23:30

Pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Markuolli, bisedoi edhe me liderin e opozitës Edi Rama.

Ajo nënvizoi rëndësinë që Presidenca Qipriote e BE i kushton zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Ajo përgëzoi për konstruktivitetin e treguar në procesin e reformave të rëndësishme që janë kryer dhe shprehu besimin se Shqipëria do të bëjë hapat e duhur për të realizuar 12 rekomandimet e Komisionit Europian, për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, brenda vitit.

Ndërkohë Rama, vlerësoi punën dhe angazhimin e Ministres së Jashtme të Qipros në mbështetje të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Populli shqiptar e meriton statusin dhe integrimi europian është axhendë kombëtare dhe jo partiake”, u shpreh Rama.

Më tej, Kryesocialisti vuri në dukje se “opozita ka bërë gjithçka është në dorën e saj për të miratuar ligjet e domosdoshëm për realizimin e reformave transformuese, por mbetet një hendek i madh midis ligjeve të miratuar dhe zbatimit të tyre në praktikë, si për luftën kundër krimit e korrupsionit, zgjidhjen e çështjes së pronave, problemet me administratën publike, reformimin e gjyqësorit, etj”.

Top Channel