Qipro: Bashkëpunim i klasës politike për integrimin

31/07/2012 00:00

Erato Kozakau Marcoullis ministre e Jashtme e Qipros, vendi së cilës
mban presidencën e radhës të BE-së e ka nisur vizitën e saj në Tiranë me
një takim me homologun e saj shqiptar Edmond Panariti.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp zonja Marcoullis tha se zgjerimi BE-së me vëndet e Ballkanit perëndimor është një prej prioriteteve të kësaj presidence.

Që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive në progres raportin e 10 Tetorit, ministrja e jashtme e Qipros theksoi nevojën e një bashkëpunimi të mëtejshëm, nga klasa politike shqiptare. “Stabiliteti politik,- tha ajo,- nuk duhet të jetë i pjesshëm, por të vijojë për të adaptuar cfarë kërkohet nga BE, në përmbushjen e 12 prioriteteve”.

“Për Shqipërinë,- theksoi ministrja Marcoullis,- prespektiva europiane duhet të konsiderohet si një cështje kombëtare jo vetëm e klasës politike, pasi nga ky proces fitojnë të gjithë”. Ministri Panariti shprehu optimizën në marrjen e statusit të vendit kandidat, pasi sipas tij tashmë Shqipëria ka arritur një progres jo vetëm në realizimin e prioriteteve, por edhe në zbatimin konkret të tyre, të cilat do të prodhojnë një opinion pozitiv.

Zonja Marcoulis gjatë qëndrimit në Tiranë është takuar edhe me presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli.

Top Channel