Imunitetet, Berisha fton Ramën

30/07/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha ftoi kryetarin socialist Edi Rama që në
seancën e 6 gushtit të lejojë deputetët socialistë të votohet për heqjen
e imunitetit, pasi me këtë akt fitojnë të gjithë.

“Heqja e imunitetit është qëllim madhor dhe kundërshtohet vetëm nga ata që nuk pranojnë të jenë të barabartë me qytetarin përpara ligjit”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha është shprehur se mazhoranca i ka bërë të gjitha lëshimet që opozita të votojë për heqjen ose kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë.

“Ende zoti Rama mesa duket nuk do pranojë të votojë për heqjen e imunitetit dhe kalon nga një pretekst absurd në tjetrin. Edhe njëherë dua t’i qartësoj qytetarët se kjo mazhorancë i ka bërë Ramës çdo lëshim të mundshëm me qëllim që ai të lejojë grupin të votojë më 6 gusht. Është zoti Rama që ka kërkuar për 7 vjet me radhë që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve të kushtetutës dhe ne këtë e pranuam” theksoi Berisha.

Reagimi i Ramës në Twitter

“Saliu ben not ne nje det genjeshtrash e ankesash pse s’ben dot detyren per faj te opozites: “S’kam faj, nje cope kryeminister jam, s’mle opozita!”. I shkreti KM, s’e le opozita te luftoje krimin e korrupsionin, te hape vende pune e integroje Shqiperine ne BE! Gjynah, s’ka faj, s’ka asgje ne dore. Po ama ato qe ka ne dore i ben me mire se askush KM, genjen e nuk skuqet, grabit e nuk ndalet, shan e nuk ndalon, noton e nuk plaket…”

Topalli: Gati të mbledh Konferencën e Kryetarëve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se menjëherë pas seancës së 6 gushtit për imunitetet, ajo është e gatshme të thërrasë Konferencën e Kryetarëve për të përcaktuar axhendën e veprimeve për nismën e Partisë Socialiste, rreth ndryshimeve të tjera kushtetuese.

Gjate një konference të përbashkët për shtyp me homologun e Jordanisë, zonja Topalli tha se kjo iniciative, që i plotëson kushtet formale-juridike, ka hyrë në proçedurë pasi është lajmëruar publikisht seanca plenare dhe nëse opozita do të jetë gati, ajo do të thërrasë Konferencen e Kryetarëve që më 7 gusht.

Por, përpara kësaj, sipas zonjës Topalli, opozita duhet të tregojë me vepra, jo me fjalë se është kundër murit të imunitetit, për të cilin politika ka 9 vjet që vetëm flet dhe nuk vepron.

Zonja Topalli tha se Partia Socialiste duhet të dëshmojë me votë më 6 gusht se përkrah nismën për kufizimin e imunitetit, duke e konsideruar atë si streha e korrupsionit. 

Top Channel