Currilat, vendi i preferuar nga durrsakët

30/07/2012 00:00

Qytetaret durrsakë i janë rikthyer plazhit tradicional të currilave.
Këtë sezon turistik zona është rigjallëruar, ndërsa ka dalë dhe nga
harta e plazheve të ndotura të Adriatikut.

Currilat ndodhen në veriperëndim të qytetit të Durrësit, vetëm 2 kilometra larg qendrës administrative, dhe të ofrojnë qetësinë e freskinë e dëshiruar. Ndryshe nga plazhi i madh ku deti fshihet nga betoni i fiksuar në shumë kate, këtu gjelbërimi është ruajtur pjesërisht.

Plazhi shkëmbor dhe ranor me pisha rreth e përqark është një nga perlat e natyrës. Gjiri i vogël detar siguron jo vetëm kënaqësi për pushime në shoqëri, por edhe intimitet dhe vend të këndshëm për familjarët, kryesisht durrsakë. Specialiteti i zonës është peshku dhe prodhimet e tjera të detit.

Brezi ranor që gjithnjë e më shumë gllabërohet nga deti, bunkerët të hedhur në det për të ndalur disi erozionin, vendstrehimet e dikurshme të mbrojtjes civile dhe ndërtesat e reja të lokaleve dhe hoteleve krijojnë një ndërthurje, mes të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes, ndërsa dora e njeriut i ka kthyer gjallërinë duke ofruar argetime dhe sherbim cilesor per pushuesit.

Top Channel