Në pranga vrasësi i administratorit të pallatit

29/07/2012 14:50

Policia e Fierit ka bërë të mundur arrestimin e 36-vjecarit Oltion Toro, i cili ekzekutoi një ditë më parë me armë zjarri në lagjen ”Apolonia” te ketij qyteti, 60-vjeçarin Nasi Memaj dhe plagosi rëndë bashkëshorten e tij.

Ngjarja shokoi opinionin publik, për shkak edhe të arsyes banale për të cilën ndodhi, për mospagesen e shërbimit të ashensorit.

Policia e qytetit myzeqar bëri të ditur se në kuadrin e operacionit ‘’Hekurudha” arriti ta prangoste Toron, në vendin ku ishte i fshehur.

Akuza që rendon mbi të është ajo e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese si edhe ajo e armëmbajtjes pa leje. Policia tha se arriti t’i bllokonte edhe armën e krimit.

Fier, vrasje për taksën e ashensorit

Një 60-vjeçar nga Fieri është vrarë në banesën e tij, ndërsa bashkëshortja ndodhet në gjendje të rëndë.

Çifti Nasi dhe Angjelina Mema, banorë në lagjen Apollonia të Fierit, janë bërë pre e agresionit të një 36-vjeçari, fqinj i tyre.

Shkak për këtë është bërë një konflikt disamujor midis 60-vjeçarit, qe ishte administrator i një pallati dhe 36-vjeçarit, banor në këtë pallat. Ky i fundit kishte katër muaj që nuk bënte pagesën për mirëmbajtjen e ashensorit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, në lagjen Apollonia, në katin e katërt të pallatit ku 36-vjeçari Oltion Toro, i shoqëruar nga një i afërm i tij, ka trokitur në banesën e të moshuarit Nasi Mema, i armatosur me kallashnikov.

60-vjeçari, i cili ndodhej në banesë me bashkëshorten e tij, ka hapur derën dhe është përballur me breshërinë e automatikut. Burrë e grua u shoqëruan në spital nga fqinjët e tyre, ndërsa 36-vjeçari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Pak minuta pas mbërritjes në spital, 60 vjeçari Mema humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa bashkëshortja e tij është në gjendje të rëndë.

Policia mbërriti në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj. Blutë e Fierit janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar Oltion Toro, i cili është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Top Channel