AK: Unifikim i ekonomisë nacionaliste

28/07/2012 19:10

Aktivistët e Aleancës Kuqezi kanë zbritur pasditen e së shtunës në qytetin e Pogradecit, prej nga kanë përsëritur mesazhet e tyre me sfond patriotik.

Kryetari Kreshnik Spahiu, në një takim me operatorët turistikë, ka prezantuar idetë e tij për zhvillimin e ekonomisë në trojet shqiptare.

“Unifikimi i ekonomisë nacionaliste është rruga kryesore e bashkimit të trojeve shqiptare. Lidershipi politik shqiptar nuk kërkon bashkimin e trojeve, por përçarjen e tyre”, ka deklaruar Spahiu.

Më tej Spahiu ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga për patriotizëm të rremë, gjë që sipas tij favorizon ekspansionin e mafias serbe në trojet shqiptare.

“Berisha dhe Jahjaga përdorin patriotizmin sezonal, ekipi shqiptar në Londër është shembull për këtë. Berisha dhe Jahjaga ndahen për privatizimet dhe konçesionet dhe këtu hyn mafia serbo-boshnjake”, ka thënë Spahiu.

Më tej ai ka shprehur ambicjet politike të Aleancës Kuqezi, e cila sipas tij në zgjedhjet e ardhshme do të nxjerrë në pension elementët e politikës së vjetër.

“Aleanca Kuqezi është e vetmja parti me platformë bashkimi për Shqipërinë dhe Kosovën. Ne do nxjerrim Berishën në pension dhe Ramën do ta lëmë në opozitë”, ka shtuar kreu i AKZ.

Spahiu në Korçë: PD e PS, së shpejti në opozitë

Më herët gjatë ditës Kreshnik Spahiu ishte bashkë me aktivistët e tij në Gora të Korçës, ku ashtu si në Pogradec përjashtoi koalicionin me dy partitë e mëdha.

Gjithashtu, Spahiu paralajmëroi Sali Berishën dhe Edi Ramën se i pret një periudhë e gjatë në opozitë, pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

“Ne në mënyrë të prerë themi se me parti të modelit grek dhe vllazëri të këtyre modeleve, si PASOK me Nea Demokratia, ne nuk mund të kemi një qasje të përafërt. AKZ ka nevojë të triumfojë e vetme dhe socialistët e demokratët duhet të përgatiten për një 4-vjeçar në opozitë së bashku”, tha Spahiu.

Top Channel