PS: Falimentojnë bizneset në Tiranë

27/07/2012 00:00

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës deklarojnë se gjatë një
vit pune të bashkisë drejtuar nga Lulzim Basha janë mbyllur 1700
biznese, të cilat kanë falimentuar për shkak të rritjes së taksave.

Sipas keshilltarit Gent Gazheli detyrimet vjetore te biznesit jane bere 2 deri 3 here me te larta dhe kjo jo ne baze te xhiros vjetore, por ne baze te vendimeve klienteliste.

“Në kushtet e krizës ekonomike të mungesës së likuiditetit, krizës së besimit, biznesi i vogël në Tiranë po shkon drejt falimentit. Ajo që tashmë është evidente, se vetëm për vitin 2012, sipas të dhënave të 6-mujorit të parë, zyrtarisht e theksojmë, numri i bizneseve të mbyllura është 1700. Nuk është e vërtetë cfarë tha sot Basha që janë hapur 1200 biznese të reja. Shifrat janë aty dhe zoti Basha e di mirë. T’u thotë të vërtetën qytetarëve të Tiranës. Rrjedhimisht edhe papunësia është rritur në mënyrë dramatike. Kjo nuk është politike, por janë faktet që zoti Basha duhet të ketë kurajon e t’ua thotë qytetarëve që t’i njohin me të vërtetën e një krize të rëndë që ka përfshirë biznesin dhe papunësinë në Tiranë”, tha Gazheli.

Këshillitari Gazheli i referohet çmimit te bukes, per te cilen kreu i Bashkise se Tiranes kishte premtuar ulje gjatë fushatës elektorale.

“A e uli zoti Basha çmimin e bukës në kryeqytetin, sikurse premtoi me bujë në fushatën e mashtrimit? Jo. Çmimi i bukës për ironi sot është i njëjtë, madje në disa raste më i lartë. Njeriu që qesh me fatet e Tiranës nuk mund të tallet kaq hapur me varfërinë e qytetarëve të Tiranës, duke mos ndërmarrë asnjë hap të vërtetë për të lehtësuar ata nga cmimet e larta, të faturuara nga politikat e gabuara të qeverisë së tij. Sot Tirana nuk është më e pastër se një vit më parë, sot Tirana nuk është më e gjelbërt se një vit më parë, sot Tirana nuk ka infrastrukturë më të mirë rrugore, siguri dhe standard ushqimor më të mirë se një vit më parë”, tha Gazheli.
 
Keshilltaret socialiste akuzojne kreun e bashkise se Tiranes se nuk ka mbajtur asnje nga premtimet e bera gjate fushates elektorale.

Top Channel