PD: Opozita të marrë shembull nga Sllovakia

27/07/2012 00:00

Partia Demokratike i ka bërë sërish thirrje kreu të PS-së Edi Rama të
lejojë deputetët e tij të votojnë më datën 6 gusht për heqjen e
imunitetit.

Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi theksoi se Partia Socialiste duhet të ndjekë shembullin e të majtës sllovake e cila votoi për heqjen e imunitetit.
 
“Partia Demokratike fton zotin Rama të ndjekë shembulin e të majtës sllovake dhe të votojë më 6 gusht heqjen e imunitetit. Rrëzimin e murit të korrupsionit e presin me padurim të gjithë qytetarët shqiptarë sepse ata duan barazinë para ligjit. Ata nuk duan që zyrtarët e lartë të mos mbrohen nga imuniteti për veprat penale. Qytetarët presin që të zgjedhurit të votojnë për të shembur murin e korrupsionit dhe të ngrihen mbi interesat e tyre”, theksoi zëdhënësja.

“Partia Demokratike i ben thirrje z.Rama, të ngrihet mbi interesat e paligjshme të një grupi të vogël miliarderësh në krye të Partisë Socialiste dhe të lejojë deputetët e Partisë Socialiste të votojnë më 6 Gusht për shembjen e murit të korrupsionit, murit të zi që shtyn çdo ditë drejt mjerimit të varfërit e këtij vendi, që thellon çdo ditë pesimizmin dhe dëshpërimin dhe pret shpresat për punësim të të papunëve, që pengon rritjen e merituar të pensioneve  për të moshuarit tane dhe qe jo në pak raste privon qytetarët nga një vendim i drejtë në gjykatat tona”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel