Hetim për licensën e Lotarisë

26/07/2012 00:00

Deputeti socialist Taulant Balla nga forltorja e parlamentit i dergoi
një mesazh të fortë të gjithë atyre që janë përfshirë në dhënien dhe
përfitimin e licensës së Lotarisë Kombëtare.

Zoti Balla deklaroi se të gjithë ata të cilët u përfshinë në procesin e licensimit të kompanisë “Austrian Lottery” nuk duhet të gëzohen pasi qeveria e ardhshme socialiste do të nisë një hetim në Shqipëri, madje ka premtuar se pjesë e hetimit do të jetë edhe vetë presidenti kompanisë austriake, e cila siç edhe pritej fitojë licencën, pasi gjithçka ishte paracaktuar.

Deputeti Balla sikurse kreu i opozitës Rama ka përsëritur veprimet që do të ndërmerren në qeverisjen socialiste, atë të anulimit të kësaj licence.

“I them sot Sali Berishës që edhe licensën e Lotarisë Kombëtare, për të cilën more më shumë ti ‘cash’ në Vjenë se sa do të marrë Ministria e Financave në shtator, ne do t’ia kthejmë atë shqiptarëve.”Austrian Lottery” është nën hetim për korrupsion në vendin e vet, ndërsa në Shqipëri blen të njëjtën licencë, 100 herë më lirë se sa në Austri. Pra, këtu jo vetëm që duhet hetuar, por kjo duhet bllokuar me çdo kusht. Dua t’i drejtohem sot edhe kësaj kompanie dhe them se ne do të kërkojmë një hetim për korrupsion, ndaj këtij subjekti, një hetim të plotë në Shqipëri dhe në Austri dhe kudo gjetkë ku janë zhvilluar biseda, ku janë bërë pagesa ‘cash’ dhe ku janë dhënë rryshfete. Do të zbardhim të gjitha pazaret, të gjitha parakontratat. I them sot kompanisë “Australin Lottery”, që tender-komedia e Ridvan Bodes, nuk vlen, ndërsa licencën që kanë rënë dakord me Zenin, ne do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë atë shqiptarëve. Nuk mund të lejojmë që shqiptarëve t’ju merren një pronë publike, prej më shumë se 100 milionë eurosh, se kështu ka rënë dakord Zeni në Austri”, tha Balla.

Taulant Balla gjatë fjalës së tij ngriti edhe një problem tjetër, atë të transferimit të parave jashtë Shqipërisë nga njerëz të lidhur me qeverinë.

“E di Sali Berisha që ty të lëviz amperi, kur të përmendim Shkëlzenin, por Kushtetuta nuk thotë që fëmijët e Kryeministrit kanë imunitet. E megjithëse pa imuniteti, Shkëlzeni yt në Shqipërinë e marrë peng nga sundimi yt është mjelësi i lopëve të zeza të korrupsionit në Shqipëri. Madje po mjel qumësht edhe nga demat. Cfarë imuniteti e ka penguar prokurorinë apo ILDKP-në të hetojë mënyrën e pasurimit të djalit të Sali Berishës, i cili fiton brenda një viti sa buxhetet e marra së bashku të bashkive Librazhd, Përrenjës, Bulqizë dhe Gramsh? Nuk ka qenë imuniteti, por dhuna institucionale dhe kërcënimi banal i Sali Berishës për lavire dhe horra bulevardi, që ka mbajtur peng luftër kundër korrupsionit në Shqipëri. Qytetarë shqiptarë, Sali Berisha dhe familje e tij, ministrat e tij, po i largojnë nga Shqipëria paratë e vjedhura nga korrupsioni, largojnë pothuajse cdo jave me avion nga Shqipëria shuma marramendëse parash. Do t’i merrnin edhe puset e naftës, minierat, lumenjtë dhe hidrocentralet, toka në bregdet, po të kishin mundësi t’i transportin jashtë Shqipërisë, por për fat të mirë këto pasuri të të gjithë shqiptarëve janë ende këtu”, tha Balla.

Top Channel