Letërporosia e EULEX në Tiranë

25/07/2012 20:00

Prokuroria e Tiranës i kërkon Gjykatës Penale të Tiranës të ekzekutojë një letërporosi të gjykatës së EULEX-it në Prishtinë, e cila kërkon të dhëna nga autoritetet shqiptare për një protagonist të çështjeve gjyqësore që kanë lidhje me ngjarje të vitit 1999 në Kosovë dhe me luftëtarin e UÇK-së, Fahredin Gashi, i njohur ndryshe si “Faruku”.

Në shkresë thuhet se, i pandehuri ka patur rol udhëheqës në organizimin e një vrasjeje të rëndë dhe një vrasjeje tjetër që ka mbetur në tentativë, por gjatë gjykimit Fahredin Gashi pretendon se vuan nga probleme të depresionit dhe të diabetit dhe se për këto sëmundje ai është kuruar edhe në Shqipëri.

Kjo çështje, theksohet më tej, është e ndjeshme në Kosovë, ku i pandehuri akuzohet për një ngjarje të rëndë dhe është shpallur fajtor për krime lufte gjatë vitit 1999 e po ashtu është dënuar me 18 vjet burg.

“Duke qenë se në 3 shkurt të ketij viti ka nisur një tjetër shqyrtim gjyqësor dhe ai informoi gjykatën e EULEX se ka qenë trajtuar në Spitalin Ushtarak në Shqipëri përgjatë vitit 2008, ne vlerësojmë të rëndësishme që këto të dhëna të na i vini në dispozicion në mënyre që të vlerësojmë siç duhet gjendjen shëndetësore të tij”, thuhet në dokument.

Relatori i çështjes gjyqësore ndaj Farukut, gjyqtari i EULEX-it, Tore Tomansen shton se Fahredin Gashi akuzohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, më 6 gusht 1999 në Prishtinë ka kryer një vrasje të rëndë dhe në 3 nëntor 1999 vrasje të rëndë të mbetur në tentativë.

Emri i Fahredin Gashit është mjaft i njohur në Kosovë dhe i lidhur me një emër tjetër, atë të Nazim Bllacës, personi që rrefeu mjaft ngjarje. Kjo çështje pritet të shqyrtohet pas kërkesës së prokurorisë nga Gjykata Penale, të cilës do t’i duhet të urdhërojë Spitalin Ushtarak që të dorëzojë dokumentet në fjalë.

Top Channel