Durrës, cigare kontrabandë

25/07/2012 23:05

Një sasi e konsiderueshme cigaresh kontrabandë të importuara nga Kina është sekuestruar në zonën doganore të Durrësit në një kontenier të deklaruar se mbante dyer e dritare.

Autoritetet kanë sekuestruar mallin dhe ndaluar deklaruesin e tij, i cili nuk e ka përfshirë sasinë e cigareve në deklaratën përmbledhëse të dorëzuar pranë doganës.

Kontrolli në kontenier ka nxjerrë në pah se brenda tij gjendej dhe malli që tentoi të futet kontrabandë në vend përmes doganës së Durrësit.

Nga kontrolli i ushtruar në kontenier rezultoi se malli i padeklaruar konsiston në 700 koli cigare të markave të ndryshme, me një vlerë prej afro 1,4 milion euro, ndërkohë që vlera e detyrimit të shmangur doganor llogaritet në 40 milion lekë të reja.

Kreu i doganave shqiptare Flamur Gjyrmishka tha se zbulimi i cigareve kontrabandë është bërë nëpërmjet shërbimeve inteligjente të vendosura në portin e Durrësit.

Përvec sanksioneve administrative ky rast i kontrabandës përbën edhe vepër penale pasi detyrimi i shmangur doganor e kalon vlerën e 5 milionë lekëve.

Deklaruesi i mallit do të përballet edhe me akuzën e kontrabandës me mallra të akcizës, që parashikon dënim me gjobë ose deri në 7 vjet heqje lirie.

Top Channel