Analistët: Si ishte Topi, ç’duhet të bëjë Nishani

23/07/2012 00:00

Gjatë pesë viteve si President i Republikës Bamir Topi, presidenti i
5-të i pas komunizmit  do të përballej me një mori sfidash të
rëndësishme për Shqipërinë pa harruar ngjarjen e 21 janarit për të cilën
ai do të akuzohej rëndë nga kryeministri Berisha si pjesë e një puci
për të rrëzuar qeverinë.

Si do të mbahet mend dhe vlerësohet puna si president e Bamir Topit? Analistët Artur Zhej, Lutfi Dervishi dhe Dritan Hila japin vlerësimet e tyre.

“Mendoj që ka qenë një Presidencë e qetë, pa kulme,por edhe pa humnera, pa shkëlqime të mëdha, por edhe pa tejkalim të kompetencave kushtetuese. Do të mbahet mend, si një presidencë relativisht normale, por një normalitet, si ai shiu i Londrës, që kur fillon nuk mbaron. Pritshmëria ndaj zotit Topi për të arritur disa maja, disa kulme profesionale, ndërkohë që Shqipëria ka kaluar shumë halle në këto pesë vite, ishte një pritshmëri që nuk u shpërblye”, tha Zheji.

“Ishte një Presidencë normale, me tone të ulëta, e mbizotëruar ndoshta më tepër nga tërheqja dhe heshtje, por ka pasur tre momente interesante. Momenti i parë kur pati mosbesimin e madh në momentin e zgjedhjes nga Partia Socialiste. Pa kryer ende një vit në detyrë ndodhin kushtetuese, të cilat në njëfarë mënyrë e tronditën Presidencën Topi. Momenti tjetër është momenti i përplasjes me Partinë Demokratike, me partinë e propozoi për postin e Presidentit dhe finalja është që është një president që sheh ende drejt politikës dhe me gjasa do të vijojë të jetë në politikë”, tha Dervishi.

“Mendoj që nuk ka shumë gjëra për të thënë në këtë 5-vjeçar. Më tepër mund ta quaja një punësim të tij në zyrën e Presidentit, sesa ishte një Presidencë e një njeriu që vjen nga politika.Pritej më shumë nga ai. Ka një fjalë proverbiale, të cilën: ‘Unë flas me heshtjen time’, mirëpo heshti shumë gjatë dhe për shumë gjëra. Unë kam mbetur shumë i zhgënjyer nga qëndrimet që ka mbajtur zoti Topi, përsa i përket çështjes së ujërave me Greqinë dhe gjithashtu edhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë”, tha Hila.

Duke i suprizuar të gjithë, pas një procesi që prodhoi shumë të papritura, Bujar Nishani do të votohej pasditen e 11 Qershorit, si Presidenti i ardhshëm i Republikës vetëm me votat e maxhorancës.

Por cilat janë pritshmëritë për Presidencën që do të drejtojë zoti Nishani në 5 vitet e ardhshme?

“Sfidë mbetet sa do të jetë aktiv, aty ku ka dhe një moment ‘ekzekutiv’ që është Këshilli i Lartë i Drejtësisë në pushtetin gjyqësor. Përgjithësisht presidenti Nishani do të vihet në provë, kur të ketë momente të vështira dhe historia e 20 viteve tregon që momentet e vështira, jo përjashtimore, janë momentet e zgjedhjeve, ku mesazhet që jep Presidenti i Republikës kanë një lloj peshe. Veprimet e tij para apo gjatë apo pas ditës së zgjedhjeve kanë rëndësinë e tyre dhe këta do të jenë edhe njëherë testi i parë”, tha Dervishi.

“Zakonisht në këto raste thuhet të mos paragjykojmë. Mua më duket shumë e konsumuar. Nuk është si Zoti Bamir Topi, nuk është një profil i lartë politik, aq sa ishte Topi. Eshtë një njeri që nuk thotë gjë politikisht, është i sponsorizuar nga Berisha, gjithcka ia dedikon atij, është shumë i ri. Në moshën 51-vjecare do të lerë politikën dhe do të lerë edhe politikën. Mund të bëjë gjëra të mëdha që të mbahet mend, shanset i ka, se sa do t’i realizojë unë jap skeptik”, tha Hila.

“Mund të ketë një surprizë tek personi Nishani. Ndoshta është një pritshmëri apo hamendësim që ne kemi që ky zotëri të jetë ndryshe nga zoti Topi, më i angazhuar në problematikën sociale”, tha Zheji.

Top Channel