AK: Ndal vjedhjes së pasurisë ushtarake

22/07/2012 10:50

Lideri i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, përdori një takim me simpatizantë në Gjirin e Lalzit për të lëshuar edhe një herë më shumë akuza për keqqeverisje dhe korrupsion të gjithëpërhapur midis funksionarëve të lartë shtetërorë.

Duke u bërë pjesë i debatit mbi privatizimet e pronave ushtarake, Spahiu bëri një thirrje për “anullimin e të gjithë procedurave të shitjes së të gjithë reparteve ushtarake në bregdet”, ndërsa aludoi se procesi është nisur për të favorizuar personat e lidhur familjarisht apo me bizneset e tyre me pushtetin.

”Gjiri i Lalzit është kufiri ku ndahet mes patricëve dhe plebenjve. Nëse dikur kishim një bllok të udhëheqjes së kuqe, këtu në këtë Gji, sot kemi bllokun e mafias së Sali Berishës”, iu drejtua Spahiu simpatizantëve të lëvizjes së tij politike.

”Jemi të rrethuar nga vilat e pasanikëve dhe borgjevëve të qeverisë. Shteti ka privatizuar pronën e shqiptarëve, ka zaptuar gjithçka me aferat e tij korruptive. Shqipëria po ndryshon. Po, por vetëm këtu, në këtë Gji”.

Në vazhdim të fjalimit të tij, lideri i “AK”-së shtoi: “Ndërsa Gjiri i Lalzit pasurohet, zhvillohet dhe investohet, Vlora e Ismail Qemalit ende nuk ka një rrugë të shtruar në të cilën shqiptarët mund të shkojnë për këtë 100-vjetor”.

Top Channel