Kukës, protestë për ujin e pijshëm

20/07/2012 00:00

Qindra banorë të qytetit të Kukësit, por edhe fshatrave rreth tij,kanë
protestuar të premten përpara institucioneve shtetërore si
Bashkia, Prefektura dhe Këshilli i Qarkut për mungesën e ujit të pijshëm.

Të udhëhequr edhe nga opozita,e cila vetëm një ditë më parë paralajmëroi ndërmarjen e iniciativave të tilla,në këtë protestë është kërkuar që uji të mbërrijë në çezmat e konsumatorëve pasi prej kohësh detyrohen të blejnë ujin ose ta mbushin atë në vendburime, të cilat nuk dihet nëse janë të sigurta apo jo.

Madje ata kanë deklaruar se ka zona që uji mbushet edhe përtej kufirit,në Vërmicë të Kosovës,apo banorë që gjymtohen në kërkim të ujit,përmes çeljes së puseve.

Deputeti socialist Asllan Dogjani ka deklaruar se për ndërtimin e ujësjellësit të ri u dhanë 3.5 milionë euro,por fati i tyre ende nuk dihet përderisa Ujësjellësi i Ri nuk është ndërtuar. Ai ka kërkuar që institucionet shtetërore të marrin masa të menjëhershme për furnizimin me ujë të popullatës, pasi në Kukës votat miren me premtime të mëdha, por askush më pas nuk interesohet për mirëqënien e qytetarëve.

Qyteti i Kukësit dhe 14 fshatrat rreth tij, furnizohen me ujë të pijshëm vetëm me një orë në ditë, por ka zona e lagje që nuk furnizohen fare me ujë. Për furnizimin me ujë të më shumë se 60 mijë banorësh janë në funksion tre burime, por uji në çezmat e konsumatorëve nuk mbërrin. Ujësjellësi i ri,për të cilin u dhanë 3.5 milionë euro, filloi së ndërtuari në vitin 2009 me afat fillestar të përfundimit të punimeve në muajin dhjetor të 2010. Ky afat u shty për në Janarin e vitit 2011, ndërkohë që punimet u ndërprenë tërësisht në Nëntor të vitit 2010.

Top Channel