Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese mendon se imuniteti për
deputetët duhet të hiqet tërësisht, por në lidhje me imunitetin e
gjyqtarëve, ai thotë se duhet kufizuar dhe jo hequr tërësisht.

“Mund të ishte e pranueshme për politikanët heqja përfundimtare e imunitetit, duke i barazuar ata si të gjithë shtetasit e tjerë të barabartë, sipas konceptit dhe standartit kushtetues. Për t’u kufizuar dhe jo hequr plotësisht, për sa i përket gjyqtarëve, për shkak se veprimtaria e gjyqësorit ka disa veçori pasi ajo kërkon që faktorët e tjerë poltikë ta mbështesin, ajo kërkon që faktorët juridikë ta mbështesin, për të qenë në gjendje për t’i dhënë mundësinë ose me mirë më thënë për mos t’i hequr mundësinë e pretenduar për pavarsisë e pushtetit të vet. E në këtë aspekt mendoj se gjyqësori pavarsisht se ka dëshmuar për dobësi, të meta dhe pse jo për korrupsion, duhet ta ruajë e ta mbajë imunitetin në mënyrë shumë të kufizuar”, tha Abdiu.

Zoti Abdiu shprehet për nevojën e një sërë hapash paraprakë, përpara se të shkohet në parlament dhe votuar ndryshimet kushtetuese.

“Procesi i ndryshimit kushtetues, që konceptualisht pranohet nga të dy palët, të bëhët në mënyrë të tillë, që të jetë transparente,të jetë gjithëpërfshirës t’i bëjë sa më shumë të gjithë faktorët pushtetarë, shoqëri civile, specialistë të fushës, të aftë, të gatshëm për të dhënë kontributet e tyre në lidhje me ketë problem. Të mos lejojë ky proces, që të bëhen gabimet që u bënë në vitin 2008. Të gjitha forcat politike që kanë pretendime për këtë problem, të publikojnë pa humbur asnjë ditë variantet e tyre zyrtare. T’u jepet mundësi qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohe të gjithë opinionit publik dhe aktorëve të tjerë, për të dhënë kontributet e tyre, për të pohuar mohimin apo pohimin e propozimeve të parashtruara për të shkuar drejt një date që do të dëshiroja të ishte e gjithëpranuar për të bërë këtë ndryshim të domosdorshëm të Kushtetutës”, tha Abdiu.

Krahas ndryshimeve të propozuara për imunitet juristi Abdiu është i mendimit se ka të paktën edhe 15 aspekte të tjera që i ka ardhur koha për tu përshtatur me realitetin e ri shqiptar dhe nevojës së përafrimit të legjislacionit me atë europian.

“Me këtë ngjarje mendoj, se ne shqiptarët nuk zgjidhim çdo gjë. Kushtetuta jonë ka 15 vjet që funksionon. Ka dëshmuar për vlerat e saj demokratike që ka, por në të njëjtën kohë ka treguar si çdo kushtetutë në vitet e para të saj, se ajo ka edhe probleme. Unë mendoj se në mënyrë të domosdorshme parlamenti dhe aktorët politikë shqiptarë do të detyrohen t’i rikthehen ndryshimeve të tjera kushtetuese”, tha Abdiu.

Top Channel