Tatimet pezullojnë “Fast Food”-et

19/07/2012 23:10

Hetimi tatimor bllokoi 4 subjekte “fast food”  në Tiranë, për mos përdorim të kasës fiskale dhe mos lëshim të kuponit tatimor. Pezullimi i aktivitetit të këtyre bizneseve për një periudhë gjashtë mujore, një prej të cilëve me adresë sekondare në Durrës, vjen pasi janë penalizuar vazhdimisht me shumën 200, 300 dhe 500 mijë lekë të reja, sic parashikon ligji për procedurën tatimore.

“Bllokimi i aktivitetit të katër subjekteve që zhvillohet nga strukturat në terren edhe drejtoria rajonale tatimore Tiranë, është në zbatim të detyrimit ligjor që ka administrata tatimore për të penalizuar ata subjekte edhe ata tatimpagues të cilët në mënyrë të përsëritur kundërshtojnë përdorimin e pajisjes fiskale dhe lëshimit të kuponit tatimor kundrejt shërbimeve dhe mallrave që ata shesin”, tha Erion Prifti, Drejtor i Hetimit Tatimor, Drejtoria Rajonale Tiranë.

Kontrollet nga strukturat e hetimit tatimor të drejtorisë rajonale të Tiranës do të vazhdojnë përgjatë gjithë këtyre ditëve.

“Vetëm gjatë korrikut kemi 120 penalitete për moslëshim të kuponit fiskal, do vazhdojmë kontrollin”, shtoi Erion Prifti, Drejtor i Hetimit Tatimor, Drejtoria Rajonale Tiranë.

Administrata tatimore po kryen aksione të ngjashme edhe përgjatë bregdetit shqiptar për subjekte që nuk lëshojnë kuponin fiskal, nuk janë të regjistruara apo nuk deklarojnë punonjësit.

Top Channel