Paralelisht me votimin në parlament të neneve të Kodit të ri Zgjedhor, mbi 50 deputetë socialistë kanë hedhur firmat e tyre për në një draft me propozime lidhur me nismën ligjore për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me imunitetet.

Top Channel ka mundur të sigurojë draftin e këtyre propozimeve që shprehin një qendrim të ndryshëm nga projekt/ligji depozituar nga demokratët në Sekretariatin e Kuvëndit.

Socialistët me propozimin e tyre i hapin rrugë të lirë hetimit për çdo vepër penale kryer nga deputetët pa marrë asnjë lloj autorizimi sikurse çdo lloj hetimi apo përgjimi të zhvillohet konform Kodit të Procedurës Penale në rastet kur ka indicie apo dyshim ndaj politikanëve.

Në draftin e socialistëve propozohet marrja në mbrojtje e deputetëve vetëm në ato raste kur janë duke ushtruar detyrën si përfaqësues të popullit , kur shprehin opinionet dhe votën e tyre. Ne rast se kërkohet arrestimi, ai duhet të kryhet me lejen e Kuvendit me përjashtim të rasteve kur deputeti kapet në krim e sipër apo menjëherë sapo ka konsumuar kryerjen e krimit.

Hartuesit e këtyre propozimeve e shikojnë këtë nen si garanci për opozitën e sotme, përfshi atë të së ardhmes për t’u mbrojtur nga sulmet hakmarrëse të motivuara politikisht ndaj deputetëve kritike me qeverinë.

Propozimet e PS-së që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve parashikojnë të drejtën e imunitetit nga cilido gjyqtar për vendimet dhe opinionet që ata shprehin gjatë kryerjes së detyrës, duke i zhveshur nga çdo lloj imuniteti tjetër.

Drafti i dytë firmosur nga deputetët socialistë lidhet me luftën ndaj korrupsionit për të cilën në një intervistë për Top Channel ambasadori BE-së Ettore Sequi u shpreh se “vetëm heqja e imunitetit nuk mjafton, duhet luftuar kultura e korrupsionit”.

Duke qenë në një gjatësi vale me kryediplomatin e BE-së, socialistët për të arritur një luftë efektive ndaj korrupsionit kërkojnë ndryshime kushtetuese që do të rrisin pavarësinë, eficencën dhe përgjegjshmërinë e insitucioneve kushtetuese.

Në shërbim të kësaj socialistët propozojnë që emerimi i Prokurorit të Përgjithshëm, emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë përfshi anëtarët e KLD-së të votohen me 3/5-at e votave në Kuvend.
Ky nen i propozuar shihet nga ekspertët ligjor të PS-së si dhënia fund e praktikave të deritanishme për këto emërime të realizuara me vetëm pëlqimin e një krahu politik.

Sikurse i hap dritën jeshile daljes nga ngërçi krijuar me zëvendësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe qendrimin në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese aktualisht me mandat të përfunduar.

***

Duke folur për debatet politike që ka ngjallur heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ambasadori Arvizu i është bashkuar shqetësimit të opozitës se ndryshimet kushtetuese për imunitetet mund të përdoren për hakmarrje politike.

Zoti Arvizu ka inkurajuar shtimin e debateve publike për këtë çështje, njëkohëisht theksoi nevojën e bërjes kujdes me hapat që do të ndërmerren, sikurse la të kuptohet se nuk duhet humbur kohë.

“Mendoj se nuk është e shëndetëshme për demokracinë, që legjislacioni për heqjen e imuniteteve të përdoret si një kërcënim. Ky është një shqetësim specifik që unë kam dhe  shpresoj që është diçka që do të adresohet. Të gjithë bien dakort parimisht se është e nevojshme heqja e imunitetit. A duhet të zhvillohen konsultime të kujdesshme duke marrë në konsideratë këndvështrime të ndryshme?  Po, në mënyrë absolute. Duhet të jemi të ndershëm. Nuk kemi të bëjmë me një legjislacion të ri i cili doli në dritë brenda natës. Pra njërëzit e kanë patur përpara për ta studiuar për më shumë se 1 vit. Nuk është një çështje e  re. Në 7 deri 10 ditët e ardhëshme duhet të intesifikohet debati publik dhe diskutimet.  Në një sistem ideal mund të nevojitej më shumë kohë, por dua të jem shumë i sinqertë sikurse jam gjithmonë. Sot është 19 Korrik, koha nga tani deri në Gusht sipas të menduarit të kohës nga shqiptarët është një përjetësi. E theksoj, nuk është një tematikë e re dhe nëse ka vullnet atëherë edhe heqja e imuniteteve do të mund të realizohet”, tha ambasadori Arvizu.

Top Channel