Votimi në parlament i  ndryshimeve në Kodin Elektoral është ndjekur me
vëmendje nga ambasadori amerikan Arvizu, ai i BE-së Sequi dhe kreu
OSBE-s Wolfarth, të cilët të gëzuar nga ky zhvillim, kanë parë edhe
finalizimin me sukses të përpjekjeve të tyre disamujore për këtë
çështje.

Në përfundim të votimit Top Channel e pyeti ambasadorin Arvizu nëse ai besonte se më miratimin e këtyre ndryshimeve Shqipëria në zgjedhjet e 2013-ës do të mund të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.


“Personalisht besoj se kjo garantohet nëse njerëzit e zbatojnë atë. Ajo që parlamenti ka për detyrë ta mundësoj. Nuk ishte e lehtë kjo që bënë. Mendoj që të gjithë meritojnë vlerësim për ketë hap të hedhur përpara. Hapi tjetër është imuniteti. Dua të jem i sinqertë me ju pasi nuk e besoja që parlamentarët do të votonin për Kodin Zgjedhor. Gjithashtu e kuptoj zotin Dule, Mediu, Oketa dhe partitë e vogla pasi me sa di ka patur dikutime për një korrektim kombëtar. Kjo nuk ishte e mundur kësaj here por mund të trajtohet në të ardhmen. Por përsëri dua të jem i sinqertë më ju. Nuk mendoja se ky projektligj do të votohej në parlament. Kam humbur dy baste pasi mendoja se do ta kishin të pamundur për ta bërë këtë. Kështu mendoj se edhe me mungesën e besimit mes palëve ata mundën ta realizojnë këtë dhe kanë mundësi të realizojnë tjetrën”, tha Arvizu.

Duke komentuar votimin e kodit të ri zgjedhor kreu BE-së në Tirane Ettore Sequi u shpreh se “Nga Tirana dhe Brukseli ndoqëm çdo hap e etapë të refromës zgjedhore. Ka pasur momente të vështitra, por jemi të lumtur që shohim rezultatin. Si opozita dhe mazhoranca dëshmuan gadishmëri dhe nivel të lartë kompromisi. Na duhet të përgëzojmë të dyja palët për rezultatin e sotëm. Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, u mirëprit sot edhe nga kryetari i OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, i cili tha se “pas një procesi gjithëpërfshirës negociatash, miratimi përbën një hap të madh për Shqipërinë drejt demokratizimit të mëtejshëm të vendit”.

Fule: Vijoni kompromisin për reformat

Komisioni Evropian mirëpriti miratimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor
duke lavdëruar qeverinë dhe opozitën për bashkëpunimin konstruktiv në
këtë fushë.

Megjithëse vlerësohet si një hap i rëndësishëm, reforma zgjedhore nuk
është i vetmi prioritet i opinionit, prandaj Brukseli i bën thirrje
palëve të vijojnë me të njëjtën frymë për heqjen e imunitetit dhe
miratimin e reformës për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Në komunikatën për shtyp, të lëshuar nga zyra e Komisionerit për zgjerim
Stefan Fule, të gjitha palët inkurajohen të japin kontribut e të
tregojnë sjellje konstruktive, thelbësore kjo që Shqipëria të mund të
hedhë hapin e radhës drejt BE-së këtë vit. 

Top Channel