KPS miraton programin buxhetor

18/07/2012 17:15

Komiteti i Planifikimit Strategjik miratoi programin buxhetor afatmesëm për periudhën 2013-2020, ku bëhet një rishikim i kaudrit makroekonomik.

Kryeministri Berisha i kushtoi rëndësi disa fushave strategjike për zhvillimin e vendit, që nga sektori energjitik dhe projekti kombëtar i vaditjes, deri tek Shqipëria dixhitale dhe se si duhet të zhvillohet sistemi arsimor e shëndetësor në vend.

Një nga pikat nevralgjike të këtij programi buxhetor është reforma e pensioneve, por deri tani nuk ka ende një draft zyrtar publik se si do të kryhet kjo reformë.

Sipas kryeministrit Berisha, “Banka Botërore ka përgatitur me kohë një nga platformat më të mira. Por ky projekt privatisht pranohet nga opozita, por publikisht refuzohet prej saj”.

Megjithëse ky nuk është një ligj me shumicë të cilësuar, kreu i qeverisë tha se: “Ështe e domosdoshme që reforma e pensioneve të ketë mirëkuptimin e të dyja krahëve të politikës, pasi ky sistem do të vendoset për 30-40 vitet e ardhshme”.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet për ta bindur opozitën për projektin e Bankës Botërore, i cili sipas zotit Berisha, “nuk synon asgjë tjetër veçse zhdërvjelltësim dhe potencim të rrugëve dhe mundësive për të mbështetur pensionistët”.

Kryeministri Berisha tha gjithashtu se ky projekt synon përmirësimin e një sistemi të vendosur 20 vite më parë dhe sot ka nevojë të marrë një formë tjetër.

Top Channel