Konvikti i Gjuhëve të Huaja

18/07/2012 19:40

Profesorë dhe studentë të Fakultetit Histori-Filiologji të Universitetit të Tiranës kërkuan ndërhyrjen e kryeministrit Berisha për marrjen në përdorim të godinës së konviktit të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit, Këshilli i Profesorëve dhe Fakultetit thekson se ndërtesa e konviktit, e cila është shumë pranë Fakultetit të Histori-Filiologjisë, do të ndihmonte në aktivitetin e tij akademik në kushtet kur numri i studentëve sa vjen e rritet, ndërsa ambientet mësimore mungojnë.

Duke theksuar se ambientet publike duhet të shkojnë për përdorim publik, profesorët kundërshtojnë dhënien me qira të kësaj godine bizneseve private.

Në letër ata shprehin shqetësimin e tyre dhe lidhur me proçedurat e tenderimit për dhënien me qira të konviktit nga ana e institucioneve shtetërore, të cilat i cilësojnë si aspak transparente.

Fakulteti i Histori-Filiologjisë ka mbi 8 mijë studentë për të tria ciklet e shkollimit, duke patur hapësirë për studentet jo më shumë se 0.50 metër katrorë. Mësimi zhvillohet me turne dhe pa mjedise zyrash pune për pedagogët, bibliotekat dhe laboratorët përkatës.

Për këtë arsye, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule e renditi këtë fakultet në listën e fakulteteve që kanë nevojë urgjente për shtim të hapësirave mësimore.

Një ditë më parë në mbështetje të kërkesës së Universitetit të Tiranës për të marrë në përdorim godinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja u shprehën edhe të gjithë rektorët e Universiteteve Publike në vend.

Ndërsa më herët qeveria vendosi të pezullonte proçedurat për dhënien me qira të godinës së konviktit . 

Top Channel