Pagesat për aftësinë e kufizuar

17/07/2012 00:00

Këshilli  Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara  akuzon qeverinë shqiptare për diskrimin ndaj tyre pasi prej disa muajsh ata nuk përfitojnë kompensimet e përcaktuara me ligj. Sinana Tafaj, kreu i Këshillit denoncon mosindeksimin e inflacionit të pagesës së aftësisë së kufizuar.

“Qeveria në fillim të korrikut bëri rritjen e pensioneve, pagave, përfshirë edhe pagën minimale, por nuk indeksoi pagesën për shkak të aftësisë së kufizuar. Në gjykimin tonë kjo përbën një diskriminim që ushtrohet mbi grupin e personave me aftësi të kufizuara. Kjo është një mungesë përgjegjshmërie sistematike e Ministrit të Punës”, thotë Sinan Tafaj, kryetar i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara.

Paraplegjikë e të verbër paguajnë të plota faturat e energjisë elektrike, telefonisë e të tjera shërbime, ndërkohë që tashmë është përcaktuar edhe masa e kompensimit që sipas Tafajt  është  reduktuar.

“Vendimi që është marrë dhe që akoma nuk ka hyrë në fuqi është një kufizim i jashtëzakonshëm i përfitimeve që ne kemi patur, pra përfytyroni nëse ne deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve më 29 prill kemi patur përfitimin për telefonin 20 mijë lekë të vjetra, ky përfitim është përgjysmuar në 10 mijë lek dhe 10 mijë lekët e telefonit kanë kaluar tek dritat dhe rimbursimi për dritat do të jetë 20 mijë lekë”, sqaron zoti Tafaj.

Personat me aftësi të kufizuara thonë se do të vazhdojnë protesta e tyre dhe se kanë vënë në dijeni të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Top Channel