Lotaria, favore në taksa

16/07/2012 00:00

Kompania që do të fitojë licencën e Lotarisë Kombëtare do të jetë e
favorizuar në taksa në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera.

Ministri i Financave më herët tha se paratë e munguara nga shitja do kompensohen përmes taksave të larta ndaj kompanisë fituese. Por a është taksa bruto 10 për qind e lartë dhe si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera?

Lotaria Kombëtare e Austrisë, njëra nga dy konkurrentet që po garojnë për të marrë licensën në Shqipëri, e mbylli vitin e kaluar me një xhiro prej rreth 2.9 miliardë euro. Qeveria austriake ka vendosur dy taksa të posaçme mbi Lotarinë Kombëtare, njëra quhet ‘tarifa e licensës’, ndërsa tjetra ‘tarifa e basteve’.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga vetë bilanci i saj, Lotaria Austriake pagoi vetëm për këto dy taksa 447 milionë euro ose 15.4 për qind të xhiros totale. Veç këtyre taksave, qeveria austriake i ka vendosur detyrim kompanisë të paguajë viti për vit 3 për qind të xhiros bruto, si mbështetje për sportin. Vitin e kaluar për këtë zë Lotaria Kombëtare e Austrisë pagoi edhe 80 milionë euro të tjera.

Në total të dy detyrimet ishin sipas të dhënave të vetë kompanisë 527 milionë euro ose 18.2 për qind të xhiros. Këto janë vetëm taksat e posaçme që lidhen me Lotarinë, pa përfshirë taksat e tjera qe ajo paguan si çdo biznes tjetër si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar,  Tatimi mbi Fitimin apo kontributet për punonjësit.

Por si do të taksohej e njëjta kompani me të njëtën xhiro në Shqipëri sipas taksave që ka vendosur qeveria dhe për të cilat pretondon se janë të larta” Së pari, kompania fituese në Shqipëri nuk do ketë asnjë detyrim për të financuar sportin apo kulturën.Detyrimet e vetme që ajo do paguajë janë dy taksa të lidhura me aktivitin e llotarisë, ajo prej 10 për qind si tatim mbi xhiron bruto dhe 0.5 për qind si pagesë për mbikëqyrjen.

Në total me këto dy taksa, nëse do të realizonte në Shqipëri të njëjtën xhiro si në Austri, pra 2.9 miliardë euro, kompania do të paguante këtu vetëm 304 milionë, që përbën 10.5 për qind të xhiros ose gati dy herë më pak se sa në Austri.

Ky krahasim i bazuar në të dhënat zyrtare e rrëzon pretendimin e qeverisë se kompania që do fitojë Lotarinë do të taksohet fortë. Përkundrazi, përvecse po ja shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë euro, qeveria i bërë edhe favor tek taksat kompanisë që do fitojë licencën e llotos, në një nga tenderat më të debatueshëm dhe të përfolur në Shqipëri.

Dhe këto llogari janë bërë pa përfshirë fitimet që shpërndahen si cmime për lojtarët. Në Austri kompania ndan 70 për qind të xhiros si fitim dhe nëse i shtohen dhe taksat apo shpenzimet e tjera, fitimi i saj mbetet vetëm 1.3 për qind. Ndërsa në Shqipëri, veç taksave të ulëta dhe licënsës gati falas, ajo gjithashtu nuk do të ketë as edhe një detyrim për pjesën që duhet t’i kthejë lojtarëve përmes çmimeve.   

Top Channel