Aksident në Përmet, humb jetën 32-vjeçari

16/07/2012 00:00

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e mbrëmjes së të enjtes në aksin rrugor që lidh Përmetin me Këlcyrën.

Një 32-vjeçar është përplasur për vdekje nga një automjet tip Benz në vendin e quajtur kthesa e Kutalit. Për pasojë i riu, i identifikuar si Gentian Thomollari ka marrë plagë të rënda. Ai është transportuar menjëherë për në spital, por përpjekjet për ta mbajtur në jetë kanë qenë të kota.

Policia mbërriti në vendngjarje, ndërkohë që mësohet se drejtuesi i mjetit që aksidentoi 32-vjeçarin Thomollari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Uniformat blu kanë nisur hetimet për identifikimin dhe prangosjen e tij.

Tre ditë më parë në një aksident të rëndë në aksin kombëtar Elbasan-Peqin humbën jetën 2 persona. Shkak u bë përplasja e një autoveture tip Golf me një kamion me targa të Tiranës për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Qemal Zhguni dhe Bardhyl Lunguni.

Në një tjetër aksident, në fillim të javës në rrethin e Fierit, një makinë është përplasur me muret e një pike karburanti e për pasojë kanë humbur jetën shtetasi Kudret Kalemi, 30 vjeç dhe kunata e tij Adela Kalemi, 23 vjeçe.Në aksident kanë mbetur të plagosur edhe 3 fëmijë që gjendeshin në makinë.

Sipas policisë, shkak i këtij aksidenti ishte shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte mjeti.

Top Channel