Lufta kundër korrupsionit të zyrtarëve

15/07/2012 00:00

Javën e ardhshme në komisionet kuvendore pritet të nisë puna me dy projekt/ligje të propozuara nga qeveria për luftën kundër korrupsionit.

Ministria i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, njoftoi se do të amendohet ligji për Deklarimin e Pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe ligji për konfliktin e interesave. Amendimet mbërrijnë pas një pune të institucioneve shqiptare me ndihmesën e Këshillit të Europës.

Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, njëkohësisht edhe kryesues i grupit ndërministror për parandalimin e korrupsionit dhe qeverisjes transparente, sqaroi detajet gjatë një konference për shtyp.

“Këtë javë, komisionet kuvendore fillojnë punën me dy projektligje të propozuara nga qeveria, të cilat fokusohen tek lufta kundër korrupsionit. Çmoj të nevojshme që të informohet publiku me përmbajtjen e tyre.
Do të amendohen Ligji për Deklarimin e Pasurive të Zyrtarëve dhe Ligji për Konfliktin e Interesave; Kjo pas një pune të gjatë të institucioneve tona që kanë përfituar nga asistenca e Këshillit të Europës”, tha ministri Pollo.

Ndryshimet, sipas zotit Pollo, do të detyrojnë familjarët e zyrtarëve të deklarojnë pasurinë, në të kundërt do të përballen me ndëshkimin sipas Kodit Penal. E njëjta gjë vlen edhe për deklarimet e rreme.

Gjithashtu, tjetër pikë që amendohet është edhe përcaktimi i qartë i “personit të lidhur me zyrtarin” që i nënshtrohet kontrollit, ndryshe “bashkëjetuesi/ja” si dhe përfshirja në kontroll edhe e zyrtarëve dhe drejtorëve vendorë, si drejtorët rajonalë të arsimit apo shëndetësisë etj.

Ndërsa në ligjin për konfliktin e interesave propozohet saktësimi dhe ashpërsimi i normave të procedurës duke i dhënë kompetenca shtesë Institutit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Kompetencat i lejojnë ILDKP-së të ndjekë deri në gjykatë personat që sipas saj janë gjetur me shkelje ligjore.

Top Channel