Myler: Sukses ndryshimi i Kodit  Zgjedhor

14/07/2012 00:00

Ambasadorja gjermane në Tiranë e ka komentuar shumë pozitivisht marrëveshjen për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ajo ka bërë këtë koment ndërsa ndodhej në fshatin turistik të Dardhës.

“Jemi të kënaqur që Kodi Elektoral u reformua brenda afatit të përcakuar, edhe pse kjo ndodhi në limitet e fundit. Qëllimi i këtij kodi është që të jetë i barabartë për të gjitha forcat politike, megjithëse është e kuptueshme që partitë e vogla të kenë pakënaqësi. Këto ankesa duhet të diskutohen më vonë, por për momentin e rëndësishme është baza për zgjedhje të qëndrueshme në 2013-ën dhe kodi i përmban disa kontrolle dhe pika të cilat lejojnë ose mundësojnë që zëri i popullit të përfaqësohet në një barazi më të madhe”, deklaroi Myler.

Ndërsa për 12 rekomandimet që kërkohen nga BE për marrjen e statusit të kandidatit, përfaqësuesja e qeverisë së Berlinit nënvizoi se duhet ende shumë punë.

“Raporti i fundit i progresit për Shqipërinë është si ai i mëparshmi, që kërkon të plotësohen 12 rekomandimet. Për momentin mund të them se është bërë progres në disa prej tyre, por ka ende shumë për t’u bërë, veçanerisht në fushën e ligjit dhe gjykatave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Jemi në rrugën e duhur, por realizimi i objektivave kryesorë mungon ende”, theksoi Myler.

Sa për çështjen e imuniteteve ajo tha: “Tashmë ka një draft dhe që po shoqërohet edhe me debate. Mendimi im është që drafti të kalojë në Parlament në 6 gusht edhe të miratohet”.

Top Channel