Dy partitë aleate të koalicionit qeverisës, Partia Republikane dhe
Lëvizja Socialiste për Integrim kanë mendime të ndryshme për konsensusin
e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për
reformimin e Kodit Zgjedhor, që do të vohet në parlament javën e
ardhshme.

“Do ta konsideroja një marrveshje mes PD dhe PS për të ushtruar monopolin e tyre mbi procesin zgjedhor, dhe nëpërmjet këtij procesi zgjedhor edhe mbi të drejtën e qytetarëve shqiptarë.Kemi po ashtu një diskriminim politik të votës për faktin se me formula tërësisht të shpërfytyruara u grabiten partive të tjera nga PD dhe PS mbi 20 deputetë, gje që është tërësisht anormale. Procesi i administrimit të procesit të votimeve është një proces tërësisht monopol i dy partive. Ky Kod Zgjedhor në mënyrë të padiskutueshme krijon një problem shumë të madh. Nuk ka më një parlament të zgjedhur nga qytetarët shqiptarë, por ka një parlament të emëruar, ku deputetët nuk janë të përgjegjshëm përballë atyre që votojnë, por janë të përgjegjshëm përballë atyre që i emërojnë”, tha Mediu.

“Lajm i mirë politik për këtë vit, sepse kjo shkon përshtat me plotësimin e njërës prej tre reformave të mbetura për sa i takon marrjes së statusit të vendit kandidat. Sa i madh apo i vogël është ky konsensus i arritur do të duhet ta shohim sot një vit. E kuptoj entuziazmin e partive të mëdha për të bërë deklaratat e radhës për arritjet e mëdhaja. Është tashmë një reformë e plotësuar në kuptimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, por nuk besoj se është një reformë e thellë zgjedhore”, tha Manjani.

Kryerepublikani Fatmir Mediu flet për një mospërfillje të hapur nga PD ndaj aleatëve të saj.

“PD nuk ka treguar një marrëdhënie korrekte në lidhje me aleatët e vet për faktin se të pretendosh të marrësh subjektet që ti pretendon që të bësh aleancë atë që nuk të takon nuk është fair dhe jo normale. Nuk ka patur një diskutim ndërmjet koalicionit për këtë cështje. Ka patur qëndrime të tjera të partive të koalicionit brenda vetes dhe me partitë e tjera të spektrit të majtë, për të arritur një reformë zgjedhore të qënësishme.

Ylli Manjani, sekretar për Çështjet zgjedhore në LSI shpjegon arsyet e mosmarrjes në konsideratë të kërkesave të formuluara nga 26 parti të vogla nga e majta dhe e djathta.

“Janë dy interesa që përplasen. Nga njëra anë interesat e dy partive të mëdha, të cilat të themi të vërtetën në mënyrë gati legjitime ndjehen komode në sistemin aktual, pasi është një sistem që pa shumë mund elektoral të jep minimumi 64-65 mandate dhe në këtë pikëpamje interesi këtyre partive të mëdha nuk shkon për shtat në tërësi me interesin e demokracisë shqiptare për më shumë pluralizëm.

Edhe PDIU kundër reformës

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet një tjetër parti aleate e maxhorancës qëverisëse është shprehur kundër marrveshjes së arritur për kodin zgjedhor.

Nëpërmjet një deklarate për median  PDIU shpreh indinjatën për marrëveshjen e fundit elektorale, për të cilën thotë se është gatuar nga duopoli PD-PS, e cila për nga natyra e procesit të reformës por edhe nga rezultati është një vazhdimësi e ujdive të bëra gjatë gjithë dy dekadave të fundit të pluralizmit shqiptar dhe nuk sjell asnjë përmirësim thelbësor në institucionin themelor të demokracisë, atë të zgjedhjeve.  

PDIU vlerëson, se kjo është një reformë gjysmake dhe e padrejtë, e cila nga mënyra si u zhvillua ishte një deja vu e reformave të mëparshme të cilat e kanë bërë traditë në Shqipëri që reformat të kryen jo në interes të publikut të gjerë dhe përparimit të vendit në konsolidimin e demokracisë, por në interesin e ngushtë të pak aktorëve protagonistë të politikës shqiptare.

Në vijim të deklaratës PDIU thotë se kjo reformë nuk ndryshoi sistemin e pandershëm zgjedhor që kufizon konkurrencën politike dhe e vështirëson futjen e aktorëve dhe faktorëve të rinj në garën politike duke bllokuar pluralizmin dhe qarkullimin e elitave në vendin tonë.

Top Channel