Në përfundim të takimit të Komitetit të Asocim-Stabilizimit Shqipëri-BE,
kreu i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Eduard Kukan
deklaroi se nuk dëshiron ta mendojë dështimin për statusin.

Kukan u shpreh se statusi nuk eshte per partite, por per popullin ndaj keshilloi partite qe te mos pergatiten se ke do te akuzojne per deshtimin, por te vihen ne gare se kush te kontribuoje me shume.

Ja cilat janë opinionet e zotit Kukan, zonjes Valentina Leskaj dhe zotit Fatos Beja ne intervistat e dhena per Top Channel.

Top Channel: Reforma Zgjedhore pritet t’i bashkangjitet së shpejti zgjidhjes së Avokatit të Popullit dhe votimit të ligjeve me tre të pestat. Por përparësitë që duhen përmbushur janë 12. Pra, në konkluzionet e takimit çfarë duhet bërë deri në tetor?

Eduard Kukan:
Duhet të përparoni në ato 12 përparësi kryesore dhe duhet t’i përmbushni ato. Eshtë e lehtë të thuhet me fjalë, pasi unë jam i ndërgjegjshëm për të gjitha problemet dhe çështjet që duhen adresuar. Por klima ishte më e mirë, siç vërejta gjatë gjithë takimit dhe rëndësia e kësaj periudhe kohe është shumë e madhe për të ardhmen e vendit, pra për statusin e vendit kandidat, meqë siç e kuptoj Shqipëria dëshiron të përparojë në rrugën evropiane dhe po krijohet një presion pozitiv ndaj të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri. Reforma Zgjedhore është një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, por mendoj se duhen më shumë rezultate konkrete. Ne mund ta shohim me pozitivitet këshillin e dhjetorit.

Valentina Leskaj: Ne ende nuk kemi plotësuar paketën e nëntorit, pra së pari duhet këtë paketë, sepse siç dihet reforma parlamentare është akoma e papërfunduar. Pa dyshim që ka përfunduar pjesa tjetër edhe me kontributin e opozitës dhe unë duhet të falenderoj edhe njëherë përfaqësuesit e BE-së, që këtë herë ndofta, si asnjëherë tjetër vlerësuan rolin substancial të opozitës në reforma, gjë që u theksua fare qartë nga zoti Sanino dhe nga zoti Kukan. Përsa i përket 12 prioriteteve ato që kanë të bëjnë me opozitën, katër prioritetet, besoj se roli i opozitës ka qenë shumë aktiv, jo thjesht duke ngritur kartonin, por një kontribut shumë të rëndësishëm. Përsa i përket pjesës tjetër padyshim, që mbetet një rrugë e gjatë për t’u bërë dhe duhen përmbushur ato pritshmëri që u theksuan edhe në deklaratat e këtushme. Ajo që besoj ka rëndësi është fakti nuk është çështja, që ne të bëjmë një liste ligjesh apo reformash, për t’ia treguar Brukselit. Çështja është dhe pika kyce mbetet zbatimi i ligjit, në mënyrë që impakti i këtyre reformave të jetë në jetën e vërtetë të njerëzve në Shqipëri.

Fatos Beja: Jemi në përfundim të realizimit të 12 përparësive të përcaktuara. Mbi këtë bazë edhe të informacioneve që u qarkulluan këtu në shkëmbimin e mendimeve midis grupeve, unë kërkova që këtë vit Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. Jemi i vetmi vetëm që kemi mbetur për shkak të konfliktit politik. Për fat të mirë sot jemi në një situatë krejt tjetër, kanë mbetur pak gjëra për t’u realizuar. Në krijimin të këtyre përparësive ne jemi në fund të përmirësimit dhe unë jam shumë optimist që do ta marrim statusin në vjeshtë.

Top Channel: Nëse lista e masave me rezultatet konkrete që kërkohen nuk dorëzohet në kohë dhe siç duhet. Do të jetë faji i qeverisë, opozitës apo Bashkimit Europian?

Eduard Kukan: Unë urrej qoftë edhe të mendoj se një gjë e tillë mund të ndodhë. Eshtë roli juaj si gazetarë t’i bëni pyetjet e vështira politikanëve, por statusi i vendit kandidat nuk është për qeverinë, as për opozitën, por për
është për vendin dhe për popullin. Eshtë profesioni juiaj të pyesni, por mesazhi im do të jetë shumë i qartë: Harrojeni së menduari se kush do të jetë përgjegjës nëse kjo nuk do të ndodhë. Përqendrojini të gjitha energjitë tuaja mendore dhe gjithçka, se kush do të jetë më i mirë për të kontribuar që kjo gjë të arrihet. Ky është mesazhi im.

Valentina Leskaj: Besoj që marrja e statusit të vendit kandidat, të cilin edhe ne përfaqësuesit e opozitës e kërkuam edhe një herë këtu, ashtu siç është bërë edhe në Tiranë, edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, e kërkuam edhe që Bashkimi Europian pa dyshim të ndihmojë Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat, por do të thoja se data nuk varet këtu. Besoj që data varet në Shqipëri. Sa më shpejt ne të përfundojmë reformat dhe sa më shumë efiçentë të jemi, sidomos në atë pjesë të reformave që unë e quaj shumë të vështirë dhe që u theksua dhe këtu që kanë të bëjnë me çështjet të luftës kundër korrupsionit, me çështjet të luftës kundër krimit të organizuar, me sistemin e drejtësisë, me lirinë e medias, e cila pati gjithashtu një vëmendje të vecantë në këtë sesion të këtij Komiteti.

Fatos Beja: Mendimet e ndryshme që të ketë mazhoranca me opozitën për çështje të brendshme në Shqipëri, janë çështje të parlamentit shqiptar. Ne këtu jemi në Bruksel dhe jemi për të kërkuar statusin. Statusi jepet nëse Shqipëria i realizon ato përparësi, prandaj edhe unë kam optimizëm meqë përparësitë janë duke përfunduar dhe ato gjëra që ka ngelur dhe përveç dëshirës, që Shqipëria të mos mbetet më i vetmi vend që nuk e merr dot për shkak të debateve politike të Tiranës. Unë kam besim që javën e ardhshme do të mbyllen amendamentet që do të bëhen për kodin elektoral.Unë kam besim që opozita do të mbështesë heqjen e imunitetit të politikanëve dhe gjyqtarëve, që janë të domosdoshme për të patur rezultate konkrete në gjyqësor dhe në përgjithësi për korrupsionin në Shqipëri.

Top Channel: Në përfundim, zoti Kukan, ju prisni një mesazh telegrafik nga Tirana për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. A mund të përsërisni se cfarë duhet të shkruhet në ftesë?

Eduard Kukan
: Mesazhi duhet të jetë: 12 përparësitë u përmbushën! Vetëm pas kësaj ne do të mund të festojmë së bashku.

Pergatiti: ERNEST BUNGURI

Top Channel