Kriza, Fullani apel BE-së

12/07/2012 18:55

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ftuar në një konferencë të nivelit të lartë, me rastin e 20-vjetorit të institutit “Joint Vienna”, deklaroi se masat antikrizë të ndërmarra nga Bashkimi Europian, që detyrojnë banakat të regullojnë bilancet e kredive në raport me kapitalet e tyre, po dëmtojnë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

“Si rezultat i interpretimit të rregullores së EBA-s, një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri e uli ekspozimin ndaj borxhit të qeverisë shqiptare me 3 pikë përqindjeje të PBB-së brenda një periudhe tremujore. Këto veprime shkaktuan zhbalancime në nivelin e likuiditetit në tregun ndërbankar, të cilat nuk mund të zgjidheshin në një kohë të shpejtë për shkak të problemeve strukturore”, deklaroi Fullani.

“Këto zhbalancime u shoqëruan me rritje të normës së interesit për letrat me vlerë të borxhit të qeverisë, duke kufizuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Ulja e ekspozimit ndaj letrave me vlerë të borxhit të qeverisë nuk përkon me një rritje të ngjashme të ekspozimit ndaj kredisë për sektorin privat, duke kontribuar në një rritje më të ulët të kredisë”, vijoi ai.

Zoti Fullani nënvizoi se barra financiare e rregullave të reja të BE-së nuk po ndahet në mënyrë të barabartë, por po godet më fort vendet në zhvillim si Shqipëria.

“Për këto arsye, përfitoj nga kjo mundësi për t’u bërë një apel të gjithë vendimmarrësve përkatës të BE-së, që të konsiderojnë, me po të njëjtën vëmendje, ndikimin e vendimeve të tyre në ekonomitë që gjenden në proçesin e konvergjencës. Ne gjendemi në të njëjtën varkë dhe besoj se duhet të vozisim në të njëjtin drejtim”, theksoi Fullani.

Guvernatori tha më tej se kriza që nisi në vitin 2008 ka mbërritur tani në fazën më akute dhe masat e marra deri më tani nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në nivel rajonal.

Top Channel