Bujqësia “mbyt” euron

12/07/2012 00:00

Euro ka rënë në nivelin më të ulët ndaj lekut që prej dy vjetësh. Të
dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se një euro po këmbëhet
aktualisht në treg me 136.83 lekë, kursi më i ulët që nga shtatori i
vitit 2010.

Gjatë javës së fundit euro ka humbur pikë thuajse çdo ditë ndaj lekut, duke u zhvlerësuar me rreth 1 për qind. Ekspertët e bankave thonë se ky trend i kursit të këmbimit euro lek, po përcaktohet kryesisht nga zhvillimet në tregjet globale të valutave.

Këtë të enjte, euro u këmbye në bursat botërore me 1.22 dollarë, që është dhe niveli më i ulët i dy viteve të fundit. Shqetësimet se europa ende nuk po mund të zgjidh krizën e borxheve kanë tronditur besimin tek monedha europiane, e cila është duke humbur vlerë ndaj monedhave të tjera kryesore të botës.

Por veç tendencës në tregjet globale, kursi i këmbimit euro lek në tregun vendas të valutës pasqyron edhe disa zhvillime të brendshme në ekonomi, që lidhen edhe sezonalitetin.

Veç prurjeve më të mëdha valutore gjatë sezonit të verës, për shkak të kthimit të emigrantëve, ekspertët e agjencive valutore thonë se forcimi i lekut në raport me euron, është ndikuar edhe nga përmirësimi i bilancit tregtar.

Top Channel